Aktualitet

“Dita pa Makina”, kufizime për qarkullimin në Tiranë!

Me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për të shmangur të paktën për një ditë përdorimin e automjeteve, nesër është “Dita pa Makina”, nismë që do të vihet në zbatim në Tiranë e në shumë qytete të vendit. Në kryeqytet janë marrë masat për kufizimin e qarkullimit të automjeteve në disa rrugë në fashën orare 09:00-15:00:

1- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Ministria e Brendshme deri në fillim të “ish-Hotel Dajtit”.

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga Ura e “ish Hotel Dajtit” deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”.

Segmenti i rrugës “Myslym Shyri”, nga kryqëzimi i Gjykatës së Lartë me drejtim dalje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

2- Qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet sipas planit të lëvizjes më poshtë:

Mjetet e emergjencës, Policisë së Shtetit, Shërbimit Publik Urban Qytetas dhe Taxi 4+1 do të jetë i mundur përgjatë gjithë kohës në segmentet e përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi.

Për të gjithë automjetet e tjera, aksesi do të jetë në rrugët Ibrahim Rugova, Blv.Zhan D’Ark. Blv.Bajram Curri dhe George W. Bush. Qarkullimi në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” me rrugën “Ibrahim Rugova” do të jetë i detyruar djathtas.

Në Durrës do të ndalohet qarkullimi i mjeteve private në akset:

Bulevardi “Dyrrah” – Rruga “Grigor Durrsaku”, rruga “Aleksandër Goga”, nga Mauzoleumi i Dëshmorëve Bulevardi “Epidamn” deri tek Torra Veneciane.

Edhe bashkitë e tjera në vend kanë njoftuar qytetarët për kufizim të qarkullimit në rrugët kryesore, ndërsa u bënë thirrje t’i bashkohen kësaj nisme. Hartimi i planit kombëtar të ditëve pa makina u bë i ditur një javë më parë nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila theksoi se “në kushtet e një krize energjetike dhe karburanti, por edhe si përgjigje ndaj angazhimeve mjedisore të Shqipërisë, është një nismë e parë për të reduktuar lëvizjen me makina në ditët e pushimit”.