Aktualitet

Djali iu vra nga babai në Itali, flet nëna shqiptare e Matiasit!

Dhembja është shkatërruese. Nuk do të kthehem më në atë shtëpi, nuk dua më të hyj atje. Nuk arrij të mendoj për atë që ndodhi atë ditë të tmerrshme aty brenda.

Këto janë fjalët e para të Marjola Rapajt. 32-vjeçarja e lindur në Shqipëri dhe që prej 16 vitesh jeton në Itali, la spitalin ku u shtrua pas lajmit të makabër të vrasjes së djalit 10-vjeç, Matias nga babai Mirko Tomkow, 44-vjeç. Krimi ndodhi në Vetralla, në Viterbese. Gruaja e cila po jeton te motra e saj, Marçela, nuk arrin të marrë në dorë jetën e saj dhe ka zgjedhur të thyejë heshtjen në një intervistë për gazetën italiane “Il Messaggero”.

E pamundur të përshkruaj dhembjen e madhe që po kaloj. Por, falenderoj të gjithë ata që po më ndihmojnë mua e familjen time, duke na qëndruar pranë në këto momente.

Tragjedia ndodhi më 16 nëntor kur autori, ndonëse kishte një urdhër për të mos iu afruar gruas e djalit, shkoi në shtëpi në momentin kur fëmija gjendej i vetëm pas shkollës dhe kreu krimin horror që tronditi mbarë Italinë e jo vetëm. Tomkow u arrestua nga karabinierët ndërsa Matiasit iu dha lamtumira e fundit më 20 nëntor. Pas meshës në kishë, në qiell u lëshuan tullumbacë të verdhë me emrat e shoqeve dhe shokëve të 10-vjeçarit.

Tashmë, për Marjolën është hapur një fushatë dhurimesh.