Bota

Djegia e Kuranit, Turqia anulon vizitën në Ankara të ministrit suedez të Mbrojtjes!

Protestat në Stokholm që kulmuan me djegien e Kuranit u bënë shkak që ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar të anulojë vizitën e planifikuar për më 27 janar në Ankara, të homologut të tij suedez.

Manifestimet kanë ndezur edhe më tej tensionet mes Stokholmit e Ankarasë lidhur me çështjen e anëtarësimit të Suedisë në NATO, pas agresionit rus në Ukrainë që vijon prej rreth një viti. Ndërkohë, Suedia ka nevojë për miratimin e të gjitha vendeve anëtare, përfshirë Turqisë, që t’i bashkohet aleancës ushtarake.

Në këtë pikë, vizita e ministrit suedez të Mbrojtjes, Pal Jonson në Turqi më 27 janar është e pakuptimtë. Ndaj dhe e anuluam atë.

Jonson do të udhëtonte drejt Ankarasë me ftesë të homologut të tij turk, me shpresën për të nxitur Turqinë që të miratojë kërkesën e vendit të tij për t’u bërë pjesë e NATO-s.

Në një reagim rreth këtij zhvillimi, Jonson tha se ai dhe Akar u takuan të premten gjatë një konference të aleatëve perëndimorë në Gjermani dhe vendosën të shtynin takimin e planifikuar. Në një postim në Twitter, shkroi:

Marrëdhëniet me Turqinë janë shumë të rëndësishme për Suedinë dhe ne mezi presim të vazhdojmë dialogun për çështje të përbashkëta të sigurisë e të mbrojtjes në një datë të mëvonshme.

Suedia dhe Finlanda aplikuan vitin e kaluar për t’iu bashkuar NATO-s, pas sulmit rus në Ukrainë, por kërkesa e tyre duhet miratuar nga të 30 vendet anëtare. Turqia ka thënë se në veçanti Suedia, duhet që fillimisht të mbajë një qëndrim më të qartë kundër atyre që i sheh si terroristë, kryesisht militantët kurdë, si dhe një grup që e fajëson për një përpjekje për grusht shteti në vitin 2016.

Në vitin 2022, Finlanda e Suedia nënshkruan marrëveshje trepalëshe me Turqinë, me synimin për të kapërcyer kundërshtimet e Ankarasë për anëtarësimin e tyre në NATO. Suedia thotë se ka përmbushur detyrimet e saj bazuar në marrëveshje, por Turqia kërkon më shumë, përfshirë ekstradimin e 130 personave që i konsideron “terroristë”.