Health & Beauty Lifestyle

Djersitja e kokës te bebet, ja se çfarë duhet të dini!

Djersitja e kokës te bebet mund të jetë një fenomen krejtësisht i padëmshëm, pjesë përbërëse e rritjes, por ndonjëherë edhe e rrezikshme. Ka shumë arsye për këtë fenomen. Së pari, kontrolloni si e keni veshur beben. Krahasoni rrobat e tyre me rrobat që vishni vetë. Nëse është një ditë e ngrohtë vere dhe ju vishni rroba të lehta, duhet të zgjidhni të njëjtën gardërobë edhe për beben tuaj.

Kur e përgatisni për gjumë dhe e vendosni në shtrat, zgjidhni një batanije të hollë, mbulesat e ngrohta prej leshi janë më të përshtatshme për ditë të ftohta. Ekspertët theksojnë gjithashtu se nënat e reja duhet të jenë të vetëdijshme se të porsalindurit pjesën më të madhe të kohës e kalojnë në fazën më të thellë të gjumit, që do të thotë se ata kanë shumë më tepër gjasa të djersiten dhe të zgjohen me kokë të djersitur.

Djersitja e tepërt e kokës tek foshnjat mund të shkaktohet edhe nga një infeksion ose një shenjë e një defekti kongjenital të zemrës. Gjithashtu duhet të keni parasysh se trupi i foshnjës është ende shumë i pazhvilluar dhe nuk funksionon në potencialin e tij të plotë. Mund ta vendosni fëmijën në krevat fëmijësh me kokën krejtësisht të thatë dhe kur të ktheheni në dhomë do të shihni se ka djersitur dukshëm. Mos u çuditni nëse do të duhen disa muaj para se trupi i tij të mësojë të rregullojë normalisht temperaturën e trupit. Me kalimin e kohës do të vini re se gjithnjë e më shpesh zgjohet me kokë të thatë.