Aktualitet Politikë

Do të shkarkohet apo jo Meta, Balla: “Çdo vendim do të respektohet!”

Partia Socialiste do të respektojë çfarëdolloj vendimi të Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin apo jo të Presidentit Ilir Meta. Kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla:

Nuk ekziston një rast i vetëm ku PS të ketë vendosur në dyshim vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Partia Socialiste e Shqipërisë do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Vendimi do të jetë në dobi të cilësisë së demokracisë në këtë vend. Nëse vërtetohet se Presidenti ka shkelur Kushtetutën duhet të shkarkohet, ndërsa nëse Kushtetuesja do të vendosë ndryshe, ne do e pranojmë vendimin.

Balla theksoi se “më 18 janar zhvillohet seanca e parë e Gjykatës Kushtetuese ku Kuvendi i Shqipërisë do të mbrojë qëndrimin e tij për këtë çështje”.

Një përfaqësi do të jetë në atë seancë për të parashtruar provat që Kuvendi gjeti për shkarkimin e Presidentit. Ajo që ne kemi gjetur në raportin përfundimtar të komisionit  hetimor janë fakte dhe prova që justifikojnë shkarkimin.

Duke folur për procedurat, numri një i grupit socialist theksoi se “në momentin e shkarkimit të Presidentit është Kryetari i Kuvendit që ushtron kompetencat e Presidentit”.

Menjëherë Kuvendi fillon procedurën për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Kushtetuta përcakton afate dhe një kuorum të nevojshëm të firmave mbështetëse. Procedura është shumë e qartë.

Por, Balla shtoi se “në mes të prillit të këtij viti fillon procedura normale e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës”. I pyetur mbi gjasat për zgjedhjen e një Presidenti konsensual, u shpreh se “Kushtetuta ka parashikuar që në tre raundet e para, Presidenti zgjidhet me 3/5 e votave dhe më pas në raundin e 4-rt dhe të 5-të, zgjidhet me shumicë të thjeshtë, gjysma plus 1 e deputetëve”.