Rajoni

“Do të votoja pro bashkimit me Shqipërinë”, Mustafa dhe Petkoviç komentojnë deklaratën e Albin Kurtit për referendumin.

Ish-kryeministri i Kosovës njëherzi ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka komentuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti për referendumin demokratik për bashkimin me Shqipërinë.

Në një përgjigje për Express Mustafa tha se mbështetësve të Kurtit iu mbetet që të pajtohen me mashtrimin dhe të ngushëllohen me iluzionet e tyre. Mustafa përmend edhe punën e 8200 hektarëve me Malin e Zi dhe thotë se ata që i kanë mashtruar qytetarët me një kauzë të tillë “të rrejshme”, sot janë “President, Kryeministër, deputetë, kryetar Komune”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një intervistë me zë për revistën online “Monocle” ka thënë se do të votonte pro nëse do të prezantohej një referendum demokratik për bashkim me Shqipërinë.

“Në të ardhmen nëse do të prezentohej si një referendum demokratik në mënyrë paqësore do të votoja pro, por e përsëris prapë, vetëm nëse do bëhej në mënyrë paqësore dhe demokratike”, ka thënë Kurti kur është pyetur prerazi se si do të votonte në një referendum për bashkim me Shqipërinë.

Ndërsa Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviç, ka deklaruar sot se bashkësia ndërkombëtare duhet të reagojë ndaj akuzave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për Shqipërinë e Madhe, sepse heshtja e saj mund të nënkuptojë miratimin dhe zvarritjen e rajonit në konflikte të reja. Petkoviç vlerësoi se krijimi i Shqipërisë së madhe do të nënkuptonte destabilizimin fatal të rajonit.