Rajoni

Dorëheqjet e policëve serbë, kryeministri Kurti kërkon aplikime të reja për punë!

Në Kuvend ku sot u thirr në interpelancë, kryeministri Albin Kurti komentoi dorëheqjet e serbëve nga institucionet e Kosovës, në shenjë kundërshtimi për riregjistrimin e targave të makinave në RKS. Kurti tha se “vakumet duhen mbushur me aplikime të reja për punë”. Dorëheqjeve iu referua si “vendim politik”. Duke folur specifikisht për ato në radhët e policisë, u shpreh:

Thoshin morale e individuale e teksti i njëjtë për secilin prej tyre. Nuk është e vërtetë që në veri të Kosovës nuk ka Polici, pas dorëheqjes së serbëve. Nuk ka ndërtesë të Policisë pa Polici të Kosovës. Policia jonë është atje. Edhe nëpër rrugët atje ka Polici të Kosovës.

Aty ku ka vakum duhet të ketë aplikime të reja për punë. Vendimi politik i dorëheqjes nuk mund të pasohet me thirrje politike për kthim, por me aplikim profesional.

Para fjalimit të Kurtit, Ramush Haradinaj, kryetar i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës propozoi një rezolutë për votim në Kuvend që ndër të tjera kërkon:

Institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë.

Enver Hoxhaj, deputet i Partisë Demokratike e Kosovës, reagoi ndaj fjalimit të Kurtit:

Eshtë humnerë politike. Aktualisht, nuk ka as institucione shtetërore në veri, as proces politik për t’i krijuar ato. Situata në veri të vendit ka qenë çdo herë komplekse, por pas 5 nëntorit është një kolaps shtetëror.

Ndërkaq, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës, po ashtu parti opozitare, i kërkoi Kurtit koordinim me aleatët ndërkombëtarë dhe arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.

Kosova duhet të kërkojë marrëveshje finale, jo të mesme, jo fillestare. Duhet të flasë vetëm për njohje të ndërsjellë e jo për implikime të tjera që atakojnë edhe interpretimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe lënë hapësirë për ndonjë interpretim të ri.

Më 23 nëntor, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për targat, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Kosova do të pezullojë planin për riregjistrim të makinave, ndërsa Serbia nuk do të lëshojë më targa serbe për qytetarët në Kosovë. Presidenti Aleksander Vuçiç konfirmoi se serbët do të kthehen në institucionet e Kosovës kur të plotësohet kushti i dytë, pra të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.