Aktualitet

Doza e tretë e vaksinës anti-COVID, Astrazeneca e Sputnik, nuk kombinohen!

Ndonëse sot është data e nisjes në vendin tonë të vaksinimit anti-COVID me dozën e tretë, ecuria e procesit nuk duket e njëjtë. Në Tiranë, ende nuk ka nisur, se siç mësohet, udhëzimi për mjekët shkoi me vonesë në qendrat shëndetësore. Në vaksinimin me dozën e tretë, po përfshihen personat mbi 60-vjeç, adoleshentët 16-vjeç e lart dhe ata nga 12 deri në 15-vjeç që kanë sëmundje shoqëruese, të cilat çojnë në ulje të imunitetit. Edhe për dozën e tretë kërkohet koordinimi nga mjeku i familjes. Ata që kanë injektuar kinezen Coronavac, mund ta bëjnë dhe për 4 muaj, nga doza e dytë e jo për 6.

Të vaksinuarit plotësisht me Coronavac, mund të vaksinohen me çfarëdo doze të një vaksine tjetër. Sipas ekspertes Silva Bino, ata që kanë kryer Astrazeneca, pas 6 muajsh nga doza e dytë, mund të bëjnë vaksinën që duan, me përjashtim të ruses Sputnik. Kjo vlen edhe për personat e vaksinuar me Sputnik. Pra, Astrazeneca dhe Sputnik, nuk kombinohen. Por, ata që kanë bërë Pfizer-in, mund të bëjnë çdo lloj vaksine. Kushdo që më herët ka patur efekte anësore, paraprakisht duhet të diskutojë me mjekun e familjes. Për fëmijët me diagnoza nevojitet miratimi nga pediatrët.

Në të gjithë botën, viktimat e koronavirusit kaluan shifrën 5 milion, më saktësisht 5.001.817, ndërsa janë më shumë se 246 milion të infektuar, 246.811.481. Në nivel global, shifrat përditësohen nga universiteti amerikan “Johns Hopkins”.

Në një tjetër zhvillim, vaksina u shpall fjala e vitit nga Universiteti i Oksfordit. Për shkak të pandemisë koronavirus, rezulton të jetë përdorur gjerësisht këtë vit. Gjithashtu, përfshihen fjalët vaksinim i plotë, i/e pavaksinuar dhe fushatë kundër vaksinimit. Për herë të parë, vaksina u regjistrua si fjalë më 1799-ën, ndërsa vaksinohu dhe vaksinim, një vit më vonë. Besohet se fjala rrjedh nga fjala latine vacca, lopë. Kjo fjalë lidhet me punën e shkencëtarit, Edward Jenner për vaksinim kundër lisë në vitet 1790-1800.