Aktualitet Rajoni

Drafti i konkluzioneve për samitin e 23-24 qershorit, mbështetje perspektivës europiane të Ballkanit!

Në samitin e Bashkimit Europian të datave 23-24 qershor në Bruksel, krahas çështjes së statusit kandidat Ukrainës e Moldavisë, pritet të përsëritet përkushtimi i BE-së për perspektivën e anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Tashmë është përgatitur drafti i konkluzioneve që do të miratohen në takim ndërsa Radio Evropa e Lirë e ka siguruar.

Krahas porosive politike për përshpejtimin e integrimit europian të vendeve ballkanike, nuk priten vendime konkrete sa i përket nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut dhe madje as ndonjë tjetër vendim konkret lidhur me Ballkanin Perëndimor.

Bashkimi Europian shpreh mbështetjen e plotë e pa asnjë dyshim mbi perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe bën ftesë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.

Nga ky takim, Komisionit Europian, kryediplomatit të Unionit, Borrell e Këshillit do t’iu kërkohet, të avancojnë më tej integrimin gradual mes Bashkimit Europian e rajonit, bazuar në merita. Në dokument, një paragraf i veçantë i është kushtuar edhe dialogut mes Kosovës e Serbisë. Po ashtu, zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes vendeve të rajonit.

Këshilli Europian rikonfirmon urgjencën për arritjen e progresit të dukshëm në zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale e rajonale, në veçanti në dialogun mes Beogradit e Prishtinës për normalizimin e raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Të enjten në mëngjes zhvillohet edhe takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor e BE-së. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, konfirmoi pjesëmarrjen, ndërsa nga vendet që janë pjesë e nismës “Ballkani i Hapur” Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut, vendimi për të qenë apo jo të pranishëm më 23 qershor, merret sot.

Në draftin e konkluzioneve të përgatitura për samit, flitet edhe mbi idenë e krijimit të Bashkësisë Politike Europiane.

Këshilli zhvilloi diskutim strategjik për raportet e Bllokut me partnerët në Europë. Diskutoi propozimin për krijimin e një Bashkësie Politike Europiane. Qëllimi është të ofrohet një platformë për koordinimin politik të vendeve europiane përgjatë gjithë kontinentit. Qëllimi është të forcohet dialogu politik dhe bashkëpunimi për t’i adresuar çështjet e interesit të përbashkët në mënyrë që të rritet siguria, stabiliteti e prosperiteti i kontinentit europian. Një kornizë e tillë nuk do t’i zëvendësojë politikat dhe instrumentet ekzistuese, më saktësisht zgjerimin e do të respektojë autonominë e BE-së në vendimmarrje.

Ky do të jetë samiti i fundit i BE-së gjatë Presidencës franceze. Më 1 korrik, kryesimin e Unionit e merr Çekia.