Rajoni

Drejt Hagës edhe ish-komandanti i UÇK-së, Rexhep Selimi

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi udhëton sot drejt Hagës, pasi mbrëmë iu konfirmua aktakuza nga Gjykata Speciale. Duke bërë të ditur lajmin, Selimi u shpreh se “shkon me kokën lart”.

“Jam njoftuar nga Dhomat e Specializuara se ka një aktakuzë të konfirmuar për mua. Prandaj, po e ndjej për obligim t’ju njoftoj se nesër do të udhëtoj për Hagë (Holandë) që të përballem me këtë sfidë që i është vënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, para së gjithash. Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem do kthehem po ashtu me kokën lart sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime”, shprehet ai.

Një ditë më parë, drejt Hagës u nis dhe Jakup Krasniqi pasi forca të shumta policore nga njësia EULEX-it i bastisën shtëpitë në Prishtinë e në fshatin Negrovc të Komunës së Drenasit.