Aktualitet

Drejtonte autobusin e linjës në gjendje të dehur, pranga një shoferi në Tiranë!

Ndërsa në një javë, tre autobusë të linjave në Tiranë janë përfshirë në aksidente, më seriozi prej tyre i datës 29 prill kur ai i Unazës përfundoi në Lanë, sot raportohet se një shofer përfundoi në prangat e uniformave blu, po në kryeqytet. Drejtuesi i një autobusi të linjës së Universitetit Bujqësor, të cilit i jepen inicialet N.K., 62 vjeç, u arrestua nga Policia e Tiranës pasi u kap teksa po drejtonte urbanin në gjendje të dehur. Arrestimi i tij u bë nga efektivët e Policisë Rrugore, në rrugën “Dritan Hoxha”.

Gjatë kryerjes se veprimeve policore, në testin e parë rezultoi 0.342 mg/l, në të dytin 0.549 mg/l e nuk vonoi dhe u vu në pranga për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”. Raportohet se po për drejtim mjeti në gjendje të dehur, ky shtetas është arrestuar në vitin 2019. Pas aksidenteve të fundit me përfshirjen e autobusëvve, policia po ashpërson veprimet për evidentimin e goditjen e shkeljeve.

Një javë më parë, mbrëmjen e 29 prillit, shoferi i autobusit të linjës së Unazës u përplas me një automjet tip “Benz” dhe makinat përfunduan në lumin Lana. Pesë persona u plagosën, fatmirësisht pa dëmtime serioze. Drejtuesi i autobusit do të hetohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Autobusi që ka marrë pamjen e një ure, vijon të qëndrojë në skarpatet e lumit. Lidhur me aksidentin, vazhdojnë hetimet.

Në fillimjavë, po në Tiranë, autobusi i linjës së “Qytetit Studenti” u aksidentua në bulevardin “Zogu i Parë”. Para Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, mjeti u përplas me kabinën e stacionit të pasagjerëve, përballë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Në këtë rast nuk pati të lënduar, por vetëm disa dëme materiale. Dy ditë më pas, pasditen e datës 4 maj, një autobus u përplas me karrotrecin tek “Stacioni i Trenit”. Për fat të mirë, nuk pati asnjë dëm.