Aktualitet

Drejtoresha e AKSHI-t: Mos përhapni panik, asnjë e dhënë nuk ruhet në e-Albania!

Përmes një reagimi, Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj i bëri thirrje të gjithë ekspertëve të teknologjisë së informacionit, minimuni ata që e kuptojnë këtë sistem se nuk duhet të përhapin panik tek qytetarët dhe bizneset, pasi të dhënat e qytetarëve nuk ruhen dhe as nuk janë ruajtur ndonjëherë.

Të dhënat e qytetarëve shqiptarë që marrin shërbime online përmes portalit unik qeveritar e-Albania nuk ruhen dhe as nuk janë ruajtur ndonjëherë, as nga AKSHI e as nga e-Albania. Përveç ndalimit nga legjislacioni në fuqi, nuk ekziston asnjë mundësi teknike që këto të dhënat të përdoren e keqpërdoren, kur as nuk ruhen dot.

Sipas Karçanajt platforma dhe e-Albania janë pasuri kombëtare dhe  sulmi politik ndaj këtij investimi strategjik është antikombëtar. Ajo theksoi se platforma Qeveritare e Ndërveprimit është një nga investimet më të rëndësishme të Qeverisë Shqiptare në këto 30 vite, e ndërtuar me teknologjinë Microsoft, sipas modelit “Enterprise Service Bus”.

Shteti Shqiptar kishte vetëm 6 regjistra elektronikë në 2013 ku kryheshin rreth 680 mijë veprime. Sot janë 55 databaza dixhitale që ndërveprojnë në kohë reale duke siguruar 145 milionë veprime ose 211 herë më shumë vetëm gjatë 2020. Kjo shifër tregon transformimin dhe modernizmin e Shtetit Shqiptar e certifikuar nga institucionet ndërkombëtare më në zë.

Aktualisht në e-Albania janë regjistruar 1.93 milionë shqiptarë dhe biznese që marrin 1207 shërbime në kohë reale online duke shmangur radhët e gjata të sporteve, trafikun, tarifat apo edhe ryshfetin. Shërbimet publike aksesohen në çdo moment të mundshëm duke kursyer miliona dollarë nga mospagesa e tarifave dhe qindra vite kohë nga pritjet e radhëve që tashmë sipas Karçanajt, janë pjesë e së kaluarës.