Aktualitet

Dritan Hoxha nderohet me titullin Doctor Honoris Causa nga Universiteti “Marin Barleti”!

Themeluesi i Top Media-s, Dritan Hoxha u vlerësua me titullin Doctor Honoris Causa nga Universiteti “Marin Barleti”. Një nderim i merituar për sipërmarrësin që bëri histori në kontributin e fjalës së lirë e të pacensuruar dhe që hyri në histori si i papërsëritshmi i inovacionit e ideve vizionare.

Titulli iu dha me motivacionin:

Për kontribut të shquar në digjitalizimin e medias audiovizive dhe si pioner që revolucionarizoi dhe transformoi komunikimin duke respektuar fjalën e lirë.

Siç theksoi Prof.Dr. Suzana Guxholli, rektore e Universitetit “Marin Barleti”, “Dritan Hoxha arriti të bëjë realitet ëndrrën e tij të madhe në shërbim të fjalës së lirë e të një mënyre të re komunikimi, si dhe në hapjen e një epoke dixhitale në botën e medias shqiptare”.

Shembuj si Dritan Hoxha janë ata që ndërrojnë kulturën dhe prijnë industrinë, prandaj një nderim i tillë për njeriun që nëpërmjet krijesës së tij ndryshoi shoqërinë shqiptare është një sukses për të gjithë Top Media-n.

Në emër të familjes Hoxha, vlerësimin e tërhoqi gazetari Denis Dyrnjaja:

Eshtë kënaqësi e jashtëzakonshme për mua, gjithashtu privilegj që të tërheq këtë titull në emër të familjes Hoxha e që të shpreh falenderimin e mirënjohjen e saj. Eshtë një titull që ndoshta duhet të ishte më i parakohshëm, sepse meritat për këtë njeri janë të jashtëzakonshme për atë që krijoi në Shqipëri, për atë që na ka krijuar ne në të gjitha dimensionet, jo vetëm në të biznesit e medias, por edhe në dimensionin kulturor, në hapësirat mbarëshqiptare.

Nëse Tani do ishte këtu vetë do të thonte që ky është çmimi i Top Media-s. Ai ishte njeri shumë modest, e ndante suksesin me të tjerët, me ne që ishim pjesë e familjes së tij. Topi nuk është më i imi, por i shqiptarëve. Kështu që mjaftojnë vetëm këto fjalë për të kuptuar dimensionet e këtij njeriu të jashtëzakonshëm që ishte një nder për ne që punuam dhe gëzojmë emrin e Top Media-s: Top Channel, Digitalb e Top Albania Radio, e cila ishte pema e parë ku lindi e gjithë kjo familje mediatike.

Denis Dyrnjaja e përfundoi me një falenderim të veçantë:

Veçoj edhe një falenderim nga presidentja e kompanisë Top Media, Znj. Vjollca Hoxha për nderimin jo vetëm të bashkëshortit të saj, por të një figure si Dritan Hoxha. Faleminderit të gjithëve!