Aktualitet

Droga e kapur në port, Prokuroria e Durrësit shpall moskompetencën!

Lihet në burg Barjon Gumeni, administratori i kompanisë “Alba Exotic Fruit”, në kontejnerët e së cilës me banane, tre ditë më parë u sekuestruan rreth 12 kg kokainë në Portin e Durrësit. Vendimin e dha Gjykata e Shkallës së Parë Durrës.

Gumeni nuk pranoi akuzat duke mohuar përfshirjen e tij në trafikun e drogës dhe tha se nuk ka patur dijeni për sasinë e kokainës të gjetur në kontejner. Gjithashtu, ai rezulton pronar i 10% të aksioneve ndërsa 90% janë në zotërim të Eduart Dautit, i shpallur në kërkim.

Krahas masës së sigurisë “Arrest me burg” për Gumenin, Prokuroria e Durrësit shpalli moskompetencë për hetimin e mëtejshëm të ngjarjes me argumentin se kemi të bëjmë me krim të organizuar. Kërkesa u pranua dhe dosja e hetimeve për kokainën pritet t’i kalojë SPAK-ut.

Sasia e kokainës u gjet më 13 korrik në kontejnerin me banane që vinte nga Ekuadori për llogari të “Alba Exotic Fruit”, me seli në zonën e Kombinatit në Tiranë dhe që operon në treg prej vitit 2011.

E njëjta kompani u përmend edhe në vitin 2019 po për trafik droge. Në atë kohë, në kontejnerët e saj në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë që u zëvendësuan me oriz me GPS nga autoritetet.