Aktualitet Celebrities Rajoni

Dua Lipa nuk ndalet për Kosovën, kërkesë zyrtare drejtuar Presidentes së KE-së!

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa teksa mori të mërkurën Çmimin për Lidershipin e Dalluar nga Organizata “Atlantic Council”, përfitoi nga rasti për t’i kërkuar Presidentes se Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen liberalizmin e vizave për Kosovën.

Ajo theksoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave më shumë se tre vjet më parë.

“Të rinjtë luftojnë për të gjetur punë dhe mundësitë e tyre pengohen nga kufizimet që e bëjnë të vështirë udhëtimin për punë ose kënaqësi. Pasi kemi përmbushur të gjitha kriteret, Komisioni Evropian në fakt ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën për më shumë se tre vjet më parë. Pra, a mendoni se ne mund ta arrijmë atë tani?”.

Ajo theksoi se Kosova është shteti më i ri në Evropë dhe tashmë prej 13 vitesh ky vend po udhëton si një shtet i pavarur, ndoshta pikërisht për këtë, për faktin se është edhe pjesë e një komuniteti të fortë ndërkombëtar, do arrijë të lulëzojë emocionalisht, ekonomikisht dhe kulturalisht.

“Është në gjenet tona. A nuk do të ishte e përshtatshme nëse Kosova mund të zinte vendin e saj brenda atij bashkimi paqësor, të lulëzonte ekonomikisht përkrah fqinjëve tanë dhe të shëronte dhimbjet e konfliktit të fundit?”.

Fjalimin e saj, ylli i muzikës Pop e nisi në gjuhën shqipe, duke i përshëndetur të pranishmit me fjalën “Mirëmbrëma”.

“Siç themi ne në Kosovë, mirëmbrëma”,- u shpreh Dua.

Në fjalën e saj, ajo u ndal edhe tek Kosova e në veçanti tek kreativiteti që shoqëron popullsinë e këtij vendi.

“Qëndroj para jush si fëmijë i Kosovës, e lindur dhe rritur në Britaninë e Madhe. Vi nga një vend që shumica prej jush keni dëgjuar por ndoshta jo në mënyrën se si do ta përshkruaj unë tani. Dua të ndaj me ju disa gjëra për Kosovën time. Kosovarëve u pëlqejnë ndejat, kjo s’është befasi pasi 50% e popullatës janë nën 25 vjeç. Unë jam zyrtarisht e moshuar në Kosovë. Për një shtet të vogël Kosova është duke shpërthyer me kreativitet, si p.sh me filmin e bukur kosovar “Hive” që mori tre çmime të mëdha”, u shpreh ajo.