Celebrities

“Duel me para”, vipat shqiptarë që po fitojnë të ardhura nëpërmjet videove live në TikTok!

Platforma e njohur TikTok e cila është shkarkuar mbi 1.5 miliard herë në të gjithë botën, është një platformë shumë e njohur që baza e përdoruesve është përhapur në 154 vende të botës. Njerëzit kalojnë mesatarisht 52 minuta çdo ditë në këtë platformë. Përkundër popullaritetit të saj, përdoruesit gjithashtu po fitojnë shumë para përmes kësaj platforme.

Së fundmi ka një risi që po ‘çmend’ të gjithë përdoruesit. Të fitosh të ardhura me ‘duele’ në video live. Por për çfarë bëhet fjalë më saktësisht?

Në dukje në video e thjeshtë live, tashmë ka dalë një opsion i ri ku ti pranon sfida nga personi tjetër. Aty fiton pikë, të cilat mund të jenë raketa apo avionë që janë me pagesë. Këtu personazhet e videos live, që mund të jeni ju së bashku me një mikun tuaj, zgjidhni vetë se çfarë doni që të bënë për të fituar vëmendjen e publikut, që më pas ai mund t’ju votojë ju nëpërmjet parave që këmbehen në pikë.

Nëpërmjet kësaj risie, publiku dërgon dhuratat njërit prej dy personazheve që janë duke bërë videon live. Më pas këto dhurata këmbehen në para. Disa mund të thonë se kjo formë e të fituarit është shumë e ngjashme me bixhozin, por e kamufluar nëpërmjet figurave që duken shumë zbavitëse. Por në realitet aty fshihen lekë.

Pra, një mekanizëm basti, por shumë e kamufluar. Mesa duket kjo lloj metode tashmë qenka ndër më të preferuarat e VIP-ave shqiptarë. Fundja pse jo, kush nuk do të dëshironte të fitonte ca të holla. Risia e TikTok-ut është pikërisht “si të bësh para pa punuar”.

Një rast të fundit të dueleve mes të famshmëve në TikTok është dhe ai me Rovena Stefën dhe boksierin Klevis Çela. Mendohet se VIP-at shqiptarë fitojnë nga 3 mijë deri në 5 mijë euro në një video live. Megjithatë, ‘i humburi’ në këtë rast është publiku. Ai që shpenzon para për arsye ‘qejfi’, thjesht duke parë videon e dy personazheve në TikTok.