Në Durrës janë ankoruar dy superjahtet e themeluesit të “WhatsApp”, Jan Koum.
“Moonrise” është superjahti motorik rreth 100m i gjatë, një tjetër kryevepër e prestigjiozit holandez Feadship, lançuar në vitin 2020, ndërsa superjahti tjetër “Nebula” ka dy vite që ka lancuar lundrimin dhe është ndërtuar nga Astilleros Armon.
“Moonrise” ka një shpejtësi maksimale lundrimi prej 19.5 nyje. Kapaciteti akomodues i këtij jahti është deri në 16 persona ndërkohë që ekuipazhi i tij ka 32 anëtarë. Ky superjaht përbëhet nga një superstrukturë alumini dhe ka një tonazh bruto prej 3945.0 GT.
“Moonrise” aktualisht lundron nën flamurin e Ishujve Kajman, shtet i dytë në botë për numrin e superjahteve, me 1408 jahte të regjistruara.
Në bordin e jahtit, që vjen nga Palma De Mallorca e Spanjës, nisur drejt Venecias të Italisë, ndodhet edhe vetë Jan Koum. Ndërsa Jahti tjetër “Nebula”, po në pronësi të Koum, përdoret si anije ndihmëse për supermjetin lundrues kryesor.