Aktualitet

Durrës/ Bashkia nis aksionin për lirimin e hapësirave publike!

Gjatë kësaj jave Durrës do të fillojë një aksion për lirimin e hapësirave publike dhe kthimin e tyre qytetarëve. Kështu deklaroi sot kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak.

Aksioni do të nisë në lagjen 17 të qytetit, dhe do të vijojë në lulishtet pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve.

“Kësaj jave fillojmë një aksion të rëndësishëm për lirimin e hapësirave publike fillimisht në lagjen 17 dhe më pas do të vijojmë me lirimin e hapësirave publike në lulishtet pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve. Kemi bërë njoftimin zyrtar nëpërmjet IMTV dhe policisë bashkiake duke i lënë afat të gjitha subjekteve të cilat kanë zënë këto hapësira se brenda kësaj jave duhe t’i lirojnë ato. Më pas IMTV dhe policia bashkiake do të jenë në terren për të liruar këto hapësira dhe ky aksion është mjaft i rëndësishëm pasi është kërkuar nga qytetarët. Aksioni do të vijojë edhe në shëtitoren e plazhit si dhe në gjithë qytetin e Durrësit ku këto hapësira publike do të lirohen dhe do tu kthehen qytetarëve”, u shpreh Sako.

Ndërkohë, gjatë kësaj mbledhje u miratuan familjet përfituese të ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për bllok ndihmën ekonomike deri 6% dhe fondi i të ardhurave të bashkisë Durrës, për muajin Gusht 2022. Gjithashtu, u miratua përdorimi i fondit të rindërtimit për financimin e rindërtimit të banesave individuale në bashkitë Durrës, Vorë dhe Shijak. Po ashtu, i miratua përdorimi i fondit të kushtëzuar të buxhetit të shtetit për emergjencat civile, që i është alokuar bashkisë Durrës për vitin 2022 në vlerën 51.984.331.06 lekë, si edhe miratimi i përdorimit të fondit prej 81.000.000 lekë për likujdimin e detyrimeve ndaj OSHEE.