Aktualitet

Durrës, policia parandalon krimin në familje/Pranga 40-vjeçarit që do të vriste bashkëshorten me urdhër-mbrojtje!

Ndërhyrja e uniformave blu parandaloi një krim në familje në Durrës. Policia ndaloi një shtetas 40-vjeçar, i cili lëvizte i armatosur dhe kishte në shënjestër bashkëshorten që synonte ta vriste. Me urdhër mbrojtjeje dhe në rrezik për jetën, gruaja u shpëtua nga terrori dhe vrasja e paralajmëruar.

Lulëzim Haxhiu u kap me një automatik, që dyshohet se do ta përdorte për t’u hakmarrë ndaj bashkëshortes, e cila bashkë me fëmijët e çiftit ishte larguar nga banesa, për t’i shpëtuar dhunës bashkëshortore.

Me të marrë njoftim se 40-vjeçari donte të vriste gruan, policia u vu në lëvizje. Shërbimet e saj organizuan operacionin e koduar “Shkallnuri”.

Agresori po qarkullonte me armë zjarri në zonën ku banonte dhe sipas informacioneve zyrtare policore dyshohet se do të kryente krim në familje. Menjëherë u organizua puna për parandalimin e ngjarjes dhe u bë i mundur arrestimi.

Policia kapi e arrestoi në flagrancë Lulëzim Haxhiun, banues në fshatin Shkallnur. Në automjetin me të cilin qarkullonte, blutë sekuestruan një armë zjarri tip automatik PMSH, me karikator e municion luftarak.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas ishte larguar prej disa ditësh nga banesa, sepse bashkëshortja e tij është e pajisur me urdhër mbrojtjeje nga Gjykata e Durrësit që prej datës 4 maj, për shkak të dhunës së ushtruar nga ky shtetas.

Dyshohet se 40-vjeçari po kërkonte bashkëshorten për ta vrarë. Nën terror gruaja ishte larguar nga banesa, së bashku me fëmijët. Ndërhyrja në kohë e policisë për kapjen e tij parandaloi ngjarjen e rëndë kriminale, ndërsa hetimet vazhdojnë.