Politikë

“Dvorani kampion i anti-korrupsionit”, Rama: Mesazh për Presidentin!

Vazhdojnë përplasjet politike pas vlerësimit që Sekretari Amerikan i Shtetit i bëri gjyqtarit Ardian Dvorani si “Kampion i Antikorrupsionit”. Dy ditë pasi kreu i shtetit e cilësoi fletë-lavdërimi të Ramës, kryeministri tha sot në Berat se ky është mesazh për Presidentin.

“Çmimi krijoi turbullirë të madhe në lagjet e politikës. Ishte mesazh i pastër i SHBA-ve për kreun e shtetit pasi dihen përplasjet që ka patur me gjyqtarin”, – u shpreh shefi i Qeverisë.  Muaj më parë, Dvorani u akuzua nga Meta si përgjegjësi kryesor i përplasjes mes Presidencës e Parlamentit për emërimet e disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Nga Berati  në një bashkëbisedim me gazetarët Rama u ndal të komentonte edhe ecurinë e procesit të integrimit në BE, duke bërë me dije se brenda pak ditësh do të ketë një udhëtim në Bruksel për të takuar liderët europian. Ai shprehet i bindur se Shqipëria i ka bërë “detyrat e shtëpisë” dhe pret konferencën e parë ndërqeveritare, e ndërsa thekson se një gjë e tillë nuk do të ndodh pa u bërë zgjedhjet në Holandë, një vend skeptik që ka shprehur votën e tij kundër.