Bota

DW: Shenjat janë për ndryshim pushteti në Gjermani.

Rezultat zgjedhor i ngushtë ashtu siç parashikohej, megjithatë SPD sipas llogaritjeve të para(19:59) kryeson lehtë. Shenjat janë për ndryshim pushteti në Gjermani, por gjithçka tani varet nga Të Gjelbrit dhe Liberalët.

CDU si e paralizuar. Entuziazëm tek qendra e Partisë Socialdemokrate, SPD. Këto zgjedhje në Gjermani po japin shenjat e ndryshimit të pushtetit. CDU-ja pësoi humbje të ndjeshme, dhe shënoi rezultatin më të dobët të të gjitha kohërave në federatë. Sipas llogaritjeve të para menjëherë pasi u mbyll votimi, CDU/CSU arrin në 24,5%, rreth 8,2 pikë më pak se në vitin 2017, ndërsa SPD-ja 25,5%, rreth 4,4% pikë më shumë. Të Gjelbrit renditen të tretët me 13,8% para FDP-së me 11,7%, partia populiste e djathtë, AFD arrin 10.9%. Të Majtët pësuan humbje të ndjeshme dhe arritën vetëm kufirin 5%.

Me këtë rezultat (parapak) rritet pesha e Të Gjelbërve dhe liberalëve dhe pritet që roli i tyre të jetë përcaktues në një koalicion të ri. Gjithsesi vetëm muajt e ardhshëm do të tregojnë, se cilat parti do të krijojnë qeverinë e re në Gjermani. Në vitin 2017 kjo fazë zgjati gati një gjysmë viti.

Pokeri politik fillon

Pak minuta pas mbylljes së qendrave të votimit filloi pokeri politik. Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Paul Ziemiak, dukshëm i tronditur pas prognozave të para, foli disa herë për “humbje të hidhura”, që duhen analizuar. Në të njëjtën kohë ai u shpreh për një “koalicion të së ardhmes me Unionin, FDP-në dhe Të Gjelbrit”. Ky koalicion thirret koalicioni Xhamajka në Gjermani, duke iu referuar flamurit të shtetit të Karaibeve. “Duhet të bëjmë atë që është e mirë për vendin tonë”, tha Ziemiak.

Mes selisë së CDU-së, Konrad Adenauer Haus dhe selisë së SPD-së, Willy-Brandt-Haus ka një distancë prej 3,5 kilometrash, por e diela zgjedhore e zmadhoi shumë këtë distancë. Ai është “shumë krenar” për partinë e tij, tha ministri aktual i Punës, Hubertus Heil në një vlerësim të parë. CDU ka humbur, SPD shtoi votat. Kurse Sekretari i Përgjithshëm i SPD-së, Lars Klingbeil pret të mandatohet nga votuesit për krijimin e qeverisë së re.

Tendenca

Rezultati zgjedhor po i ngjason gjetjeve të sondazheve, që të linin të kuptoje një ndryshim pushteti. Para gati një muaji, SPD për herë të parë në një sondazh të Forsas-s parakaloi CDU-në në preferencën e votuesve. Për një kohë madje kjo diferencë arriti 4 pikë. Prej 19 vitesh ishte Unioni që kryesonte sondazhet. Votimet e së dielës konfirmuan, se rezultati doli shumë më i ngushtë nga se e mendonte SPD-ja. Por Unioni megjithatë është humbësi i së dielës.

Pjesëmarrja në votime sipas të dhënave ka qenë rreth 76%. Kjo i përgjigjet po asaj pjesëmarrjeje si në zgjedhjet e vitit 2017, 76,2%. E pazakontë ishte se në Berlin u votua edhe pas orës 18:00, sepse para qendrave të votimit ishin krijuar radhë të gjata votuesish, ose edhe sepse mungonin fletëvotime.

Laschet me pretendim për qeverisje

I pari nga të tre kandidatët për kancelar që doli para kamerave ishte Armin Laschet. Ai foli për një situatë të pazakontë, për herë të parë vendi duhet të drejtohet nga një koalicion me tre parti. Laschet formuloi pretendimin për postin e kancelarit. Ai theksoi qartë aspektet e ekonomisë dhe mbrojtjes së klimës. Laschet ishte ulur që në orën 17:00 në katin e fundit të Konrad Adenauer Haus së bashku me kancelaren Merkel për të pritur rezultatet.

Pas Laschetit doli para kamerave, kandidati i socialdemokratëve, Olaf Scholz, i pritur me entuziazëm. Ai iu referua shtimit të votave të partisë së tij, dhe humbjeve tek Unioni. Scholz theksoi, se me këtë rezultat mandati për qeverinë i përket SPD-së. Kështu ka shumë shenja për një garë të fortë mes Unionit dhe SPD-së, se kush do të bëjë për vete Të Gjelbrit dhe liberalët.

Zgjedhjet përfunduan, shenjat janë për ndryshim pushteti por shumë çështje mbeten të hapura./ DW