Aktualitet

Dy aksidente me dy të plagosur në Korçë/Dy makina të djegura në Lushnjë-Fier e Durrës!

Dy aksidente me dy të lënduar në rrugët Korçë-Bilisht e Ziçisht-Bilisht. Në pranga ra një 30-vjeçar që drejtonte mjetin në gjendje të dehur, ndërsa për një të ri të moshës 20-vjeç nisi procedimi në gjendje të lirë pasi aksidentoi një shtetase e më pas u largua.

Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin R.B., 30 vjeç, banues në fshatin Vranisht, Devoll. Duke drejtuar automjetin tip “Benz” në aksin rrugor Korçë-Bilisht, pranë kryqëzimit të fshatit Progër u përplas me një tjetër makinë po “Benz”, me drejtues shtetasin A. M. Ky i fundit mbeti i dëmtuar dhe ndodhet në spitalin e Korçës, jashtë rrezikut për jetën. Pas kryerjes së testit të alkoolit, rezultoi se 30-vjeçari R.B. e drejtonte automjetin në gjendje të dehur.

Gjithashtu u referuan materialet në prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për M.M., 20 vjeç, banues në fshatin Koshnicë, Devoll. Në rrugën Ziçisht-Bilisht, pranë fshatit Fitore, Devoll, duke drejtuar automjetin tip “Benz” aksidentoi shtetasen M.M., 52 vjeçe, banuese në Bilisht, e cila pas marrjes së mjekimit në spitalin e Bilishtit, u largua në banesë. 20 vjeçari M.M, pas aksidentit u largua nga vendi i ngjarjes, por më pas u identifikua dhe shoqërua nga shërbimet e policisë.

Një kamion u përfshi nga flakët në autostradën Lushnjë-Fier, në afërsi të vendit të njohur si “Pushimi i shoferit”. Ngjarja ndodhi kur mjeti ishte në lëvizje. Drejtuesi reagoi duke arritur ta nxjerrë nga rruga e të ndalet në kohë. Nga kamioni doli pa lëndime e njoftoi zjarrfikësit që lokalizuan dhe shuan zjarrin. Kabina dhe motori i trajlerit u shkrumbuan. Ekspertët nisën hetime për shkaqet e paraprakisht, dyshohet një avari.

Edhe në Durrës, një automjet në lëvizje pësoi dëme materiale nga djegia. Makina tip “KIA” u përfshi flakët në qendër të qytetit bregdetar. Në vendngjarje shkoi shërbimi zjarrfikës që bëri të mundur shuarjen e tyre ndërsa po hetohen shkaqet. Nuk pati të dëmtuar në njerëz.