Aktualitet

Dy aksidente në pak orë në Laç e Tiranë, katër viktima!

Aksidentet vazhdojnë të përgjakin rrugët shqiptare! Katër vetë humbën jetën në pak orë në Laç dhe Tiranë. Në 02:00 të mëngjesit, drejtuesi i një makine humbi kontrollin duke çarë bordurën e më pas ra në një kanal me ujë në aksin Milot-Mamurras.

Viktima mbetën Urim Pepa 39-vjeç e Saber Dunga 45 me banim në Tiranë e Durrës, si dhe shtetasi Nikoll Gjoni, trupi i pajetë i të cilit u gjet nga kërkimet në kanalin me ujë. Që në fillim u dyshua se në automjetin tip “Toyota” udhëtonin tre persona.

Njoftimi i Policisë:

Në aksin rrugor Milot-Mamurras, mjeti tip “Toyota” ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga dhe ka rënë në kanal me ujë, ku për pasojë kanë humbur jetën shtetasit S.D.,45 vjeç, banues në Durrës dhe U.P.,39 vjeç, banues në Tiranë.

Në një tjetër aksident, të shënuar mbrëme rreth orës 23:00, një 70-vjeçar ndërroi jetë në rrugën e “Rinasit” në Tiranë. Makina me drejtues një person me iniciale P. Gj., përplasi për vdekje shtetasin me inicialet M. D., i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë. Nga Grupi Hetimor vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.