Aktualitet

Dy aksidente në Tiranë e Shijak me një viktimë dhe një të plagosur rëndë!

Aksidentet vazhdojnë të përgjakin rrugët shqiptare. Dy të tilla ndodhën sot në Tiranë e Durrës, me pasojë një viktimë e një të plagosur.

Në orët e para të mëngjesit, një 33-vjeçar me iniciale R.K ndërroi jetë në rrugën “Sulejman Delvina” në kryeqytet. Ai ishte në drejtim të një automjeti kur humbi kontrollin e makinës dhe ndërroi jetë në vendngjarje.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit fatal.

Në Shijak, një 36-vjeçar mbeti i plagosur rëndë në aksin rrugor Gjiri i Lalzit-Maminas. Në fshatin Rrotull, shtetasi me inicialet I.V., që po drejtonte mjetin bujqësor, motokarro u përplas nga një automjet tip “BMW”.

Policia arrestoi drejtuesin e “BMW”,-së 36-vjeçarin me inicialet M.K., pasi rezultoi i dehur.

I lënduari u transportua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë ku ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.