Aktualitet

Dy binjakë në pranga për shpërndarje narkotikësh në shkollat e Fushë Krujës e Krujës!

Shpërndanin lëndë narkotike në shkollat e Fushë-Krujës e Krujës, pranga dy vëllezërve binjakë të moshës 20-vjeç, të cilëve iu sekuestruan edhe armë e municione.

Policia ka vendosur në pranga dy persona pasi janë kapur me armë zjarri dhe municion, si dhe shpërndanin kanabis në afërsi të shkollave dhe të lokaleve. Dy vëllezërit 20-vjeçarë, binjakë me iniciale E.L dhe E.L  ushtronin veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza dhe mbanin armë zjarri.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në informacionet e siguruara përmes inteligjencës policore, për 2 vëllezër që ushtronin veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza dhe mbanin armë zjarri, në bashkëpunim me forcat operacionale të DVP Durrës dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Twins”.

Gjithashtu, policia ka kontrolluar banesën e vëllezërve ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale,  “1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pushkë, 2 krehra automaktiku, municion luftarak dhe 1 bajonetë; 600 gramë kanabis dhe 29 doza kanabisi të përgatitura me qese farmaceutike, gati për shitje”

Përveçse dy vëllezërit shpërndanin lëndë narkotike në afërsi të shkollave, ata përdornin edhe lokalet në Fushë Krujë dhe Krujë.

Ndërkaq, materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqesor Krujë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të kryera në bashkëpunim.