Aktualitet

Dy ditë pas djegies së shtëpisë, ndërron jetë i moshuari në Korçë!

Dy ditë pasi banesa iu përfshi nga flakët, i moshuari Koço Zhidro ndërroi jetë në spitalin e Korçës. Të premten e 7 qershorit, 89-vjeçari u dërgua për të marrë ndihmë mjekësore pasi pësoi djegie, por për fat të keq nuk mundi të mbijetojë. Ngjarja ndodhi në banesën e tij, në lagjen nr.4 të qytetit juglindor e me 89-vjeçarin ndodhej edhe një 47-vjeçare, e cila kujdesej për të moshuarin. Edhe gruaja kujdestare u paraqit në spital pasi pati probleme me frymëmarrjen për shkak të tymit.

Njoftimi policor i datës 7 qershor: 

Në lagjen nr. 4, Korçë, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit K.Zh, rreth 89 vjeç, i cili për pasojë ka marrë djegie trupore dhe u dërgua në spital për ndihmë mjekësore, së bashku me shtetasen B.B, rreth 47 vjeçe, që kujdesej për pronarin e banesës, e cila kishte probleme me frymëmarrjen. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit, i cili paraprakisht dyshohet të ketë rënë për shkaqe aksidentale.

Po në Korçë, dje një 72-vjeçar dhe djali i tij 35, pësuan djegie teksa ndodheshin në një makinë, në momentin kur shpërtheu në flakë, në aksin rrugor Korcë-Devoll, në fshatin Belorta. Sipas policisë, automjeti ishte në një pikë karburanti për t’u furnizuar.

Në brendësi të automjetit ndodhej pasagjer babai i tij, shtetasi M.O, 72 vjeç, i cili së bashku me 35-vjeçarin, kanë pësuar djegie trupore dhe ndodhen për mjekim, në spital. Automjeti i tyre është larguar nga karburanti prej personave të tjerë, të cilët e kanë nxjerrë jashtë rrugës, me qëllim shmangien e  rrezikut të mëtejshëm. Në spital janë D.O, 35 vjeç, dhe 72 vjeçari të dy banues në fshatin Rëmbec, Maliq të cilët kanë pësuar djegie trupore. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.