Art & Kulturë

Dy gazetarë fitues të Nobelit për Paqen!

Për këtë vit, Nobeli i Paqes ndahet mes dy gazetarëve: filipino-amerikanes Maria Ressa dhe rusit Dmitry Muratov. Vlerësimi i jepet lidhur me përpjekjet për të ruajtur lirinë e shprehjes, si parakusht për demokracinë dhe paqen e qëndrueshme.

Një gazetari e lirë, e pavarur, e bazuar në fakte është një mbrojtje kundër abuzimit me pushtetin, falsitetit dhe propagandës së luftës.

Komiteti Norvegjez i Nobelit vlerëson dy gazetarët për “betejat kurajoze”, për mbrojtjen e lirisë e të demokracisë në Filipine e në Rusi, “pavarësisht kushteve jo të lehta”.

Gazetarja Maria Ressa, e lindur në Filipine, por me pasaportë amerikane është bashkëthemeluese e portalit Rappler dhe një prej zërave më kritikë ndaj presidentit të Filipineve, Rodrigo Duterte. Për këtë arsye u arrestua dhe dënua, ndërsa nga Komiteti i Nobelit cilësohet “mbrojtëse e vendosur e lirisë së shprehjes”. Portali Rappler i ka kushtuar vëmendje të veçantë vrasjeve e fushatës anti-drogë të regjimit të Dutertes. Ressa ka meritën se trajtoi pa frikë, “abuzimin me pushtetin, përdorimin e dhunës e autoritarizmin në rritje, në Filipine”.

I vlerësuari tjetër është Dmitry Andreyevich Muratov, një prej themeluesve të gazetës së pavarur ruse “Novaja Gazeta”. Për 24 vite që nga ‘95-a ka qenë kryeredaktor i së përditëshmes, 6 gazetarë të së cilës u vranë, mes tyre Anna Politkovskaja, por Muratov refuzoi të braktisë linjën e pavarur.

Vazhdimisht, Dmitry Muratov ka mbrojtur të drejtat e gazetarëve për të shkruar atë që duan, me kushtin që të respektojnë standardet profesionale edhe etike të gazetarisë. “Novaja Gazeta” është burim i rëndësishëm informacionesh mbi aspekte të shoqërisë ruse që censurohen e rrallëherë përmenden në media të tjera. Prej vitesh, Muratov ka mbrojtur lirinë e shprehjes në Rusi, në kushte gjithnjë e më të vështira, mes vrasjesh e kërcënimesh.

Kremlini e uroi përmes zëdhënësit Dmitri Peskov:

Urime Dmitri Muratov! Në mënyrë të vazhdueshme, ai punon duke ndjekur idealet, të cilëve iu përkushtua, ka talent, kurajo e natyrisht që ky është vlerësim i lartë. Ne e urojmë!