Bota

Dy largime në qeverinë britanike, për shtypin vendas, kryeministri Johnson është i dënuar!

Shtypi britanik i bën jehonë zhvillimeve më të fundit që duket se kanë futur në vështirësi serioze kryeministrin Boris Johnson. Rishi Sunak u largua nga posti i ministrit të Financave dhe Sajid Javid dha dorëheqjen si ministër i Shëndetësisë. “Loja mbaroi”, thotë kryetitulli i “The Times”, që shton se “është gabim që Johnson të vazhdojë të qëndrojë në pushtet sepse ai ka humbur besimin e partisë së tij dhe vendit”.

Nuk ka asnjë shans të imagjinueshëm që Johnson, i cili nuk arriti të sigurojë mbështetjen e 148 deputetëve në një votëbesim muajin e kaluar, të mund të rimarrë autoritetin e tij për të ofruar udhëheqjen efektive që i nevojitet vendit në një kohë krize akute kombëtare. Çdo ditë që ai qëndron e thellon ndjenjën e kaosit. Për të mirën e vendit duhet të ikë. Kishte një përleshje të çmendur nga një ekip i mashtruar i Borisit, ndërsa ata u përpoqën të identifikonin një person, çdo person, i përgatitur për të pranuar postin e dytë më të rëndësishëm politik në vend, por që rrezikon të jetë mbajtësi më i shkurtër i postit të ministrit të Financave.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Jeremy Hunt dhe ai i Mbrojtjes, Ben Wallace po përmenden si pasardhës të mundshëm të Johnsonit.

“The Telegraph” citon ish-ministrin e Brexit-it, David Frost, sipas të cilit Johnson duhet të largohet nga posti i tij ose të rrezikojë “të marrë partinë dhe qeverinë me vete”.

Pas dorëheqjeve të së martës, ministrat e tjerë të kabinetit tani duhet të konsiderojnë nëse janë vërtet të kënaqur me drejtimin aktual.

“Daily Express” e cilëson Johnsonin si “të plagosur”, por “të çliruar”.

Kryeministri po luftonte me një zotim për të ulur taksat.

Analisti i “Daily Mail”, Stephen Glover e vlerëson kryeministrin si “një politikan të jashtëzakonshëm që qëndron me kokë e shpatulla mbi pothuajse të gjithë anëtarët e tjerë të kabinetit”.

Politikani do të nderohet për ofrimin e Brexit-it, pavarësisht nga gabimi i tij kryesor, ai i ngurrimit për të thënë të vërtetën. Pas gjithë asaj që ka ndodhur e pavarësisht arritjeve të tij, tani duket të jetë një kryeministër i dënuar. Çfarë humbje dhe tragjedi!

Nga “The Guardian”, analistja Polly Toynbee beson se mënyra dhe koha e saktë e largimit të kryeministrit është e vetmja pyetje e shton se “shumë pak presin që ai të luftojë për zgjedhjet e ardhshme”.