Aktualitet

Dy lista për anëtarë të KZAZ-ve në vendoret e 14 majit, PD rrezikon mosregjistrimin në zgjedhje!

Elbasani, Kamza dhe Vora janë tre bashkitë ku në vendoret e 14 majit do të aplikohet votimi e numërimi elektronik. Kjo u zyrtarizua sot në seancën publike të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Fillimisht u parashikua Vora, por KQZ zgjeroi hartën e votimit elektronik, pas fondit shtesë nga qeveria.

Me vendim të Këshillit të Ministrave, KQZ-së iu akorduan edhe 800 milion lekë për organizimin e zgjedhjeve vendore të 14 majit, fond i cili do të shkonte për shtrirjen e votimit e numërimit elektronik në dy bashki të tjera.

Në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022 në bashkitë Durrës, Shkodër, Vorë, Dibër, Lushnjë e Rrogozhinë, votimi dhe numërimi elektronik u aplikua vetëm në Vorë, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, në Njësinë 10 në Tiranë.

Ndërkohë, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi foli në lidhje me propozimet e dy grupeve në Partinë Demokratike për anëtarë të KZAZ-ve.

Kemi dy propozime për anëtarë të KZAZ-ve: nga zoti Indrit Sefa (PD) e zoti Flamur Noka, në cilësinë e sekretarit të Përgjithshëm të PD-së.  Në fakt jemi në proces të verifikimit të dokumentacionit mbi propozimet për anëtarë të KZAZ-ve jo vetëm të PD-së, por edhe të partive të tjera. Më vjen keq që gjendem në këtë situatë.

Nëse do ta bënim formale dhe unë do të isha formal, përgjigja do të ishte: do ta merrni vesh kur të vendoset. Por, s’dua të bëj hipokritin e të them që s’e njohim realitetin. Si individ, edhe unë këtu jetoj, i ndjek lajmet e kam gjykimin dhe opinionet e mia. Edhe pse, kjo s’do të thotë që kur të vijë puna e vendimmarrjes, kjo do jetë pjesë e gjykimit tim.

Nuk kemi asnjë lloj interesi e asnjë lloj simpatie për partitë, përtej komenteve. Nuk kemi asnjë lloj ndrojtjeje për të zbatuar ligjin. Nuk vendosim se kush e udhëheq Partinë Demokratike, ne do të disponojmë se kush do ta përfaqësojë. Për ne është vetëm një PD dhe ngelet për t’u parë se kush e ka tagrin. Do të duhet që kjo gjë të zgjidhet, sepse flitet për një parti kryesore të opozitës.

Po verifikojmë dokumentet se kush ka të drejtë të sjellë listat për KZAZ. Të gjithë duhet të angazhohen për të gjetur një zgjidhje për vulën e PD-së. Faktorët institucionalë e politikë të angazhohen për ta zgjidhur, nuk mund të presin KQZ-në. Rrezikon që partia kryesore opozitare të mos regjistrohet në zgjedhje!