Bota

Dy muaj nga lufta ruse në Ukrainë!

Dita e 60-të e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Në Mariupol rinisën sulmet ruse në uzinën e çelikut Azovstal, si dhe u gjet një varr i përbashkët me mbi një mijë trupa të pajetë. Raketa edhe mbi Odesë, 8 viktima të konfirmuara, mes tyre një i porsalindur.

Ndërkohë, shtrohet pyetja nëse do të ketë një sulm kimik në Odesë? Moska pretendon se shërbimet speciale ukrainase po planifikojnë një aksion provokues duke përfshirë përdorimin e substancave kimike në portin Yuzhny të Odesës, gjithnjë sipas Rusisë, “për t’ia hedhur fajin trupave ruse, se po shënjestrojnë civilë”. Por, për Kievin, këto deklarata përbëjnë një kërcënim të kamufluar e paralajmërim:

Janë pikërisht forcat ruse që synojnë të ndërmarrin një sulm kimik në portin ukrainas.

OSBE-ja denoncon arrestimet e punonjësve të kësaj organizate në lindje të Ukrainës. Në fshatin Kamyanske të rajonit Zaporizhzhia, tre civilë humbën jetën nga bombardimet e forcave të Moskës. Në Melitopol, rusët akuzohen se kanë rrëmbyer konsullin e nderit të Bullgarisë. Akuza vjen nga kryebashkiaku Ivan Fedorov, edhe ai vetë i rrëmbyer javë më parë nga pushtuesit e më pas i lënë i lirë. Në një intervistë televizive deklaroi:

Mbi 50 kolegë u morën peng nga rusët në të gjithë Ukrainën dhe sot që flasim, 29 prej tyre janë në burgjet e pushtuesve. Sa i përket aktivistëve e sipërmarrësve, rusët kanë një praktikë të përbashkët: rrëmbëjnë të gjithë ata që janë patriotë dhe flasin kundër pushtimit. Pak orë më parë, mësuam për rrëmbimin në Melitopol të konsullit të nderit të Bullgarisë.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore bën të ditur se Kievi kërkoi ndihmë për funksionimin e centraleve bërthamorë. Ukraina i dërgoi agjencisë një listë të plotë, me të gjitha aparaturat, për të cilat thotë se “nevojiten me qëllim funksionimin pa probleme e të mbrojtur të impianteve bërthamore ukrainase, gjatë konfliktit me Rusinë”.

Mbi 600 persona u evakuan nga rajoni jugor Kherson në Dnipropetrovsk ndërsa bombardimet ruse në fshatin Girkse të Luganskut shkaktuan vrasjen e 6 civilëve, referuar autoriteteve lokale.

Ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire tha se “brenda pak javësh do të ketë një embargo të plotë të Bashkimit Europian ndaj naftës ruse”. Sipas tij, “një gjë e tillë do të çojë në frenim të fluksit të valutës së huaj drejt Rusisë”. Në një tjetër zhvillim, presidenti rus, Vladimir Putin mori pjesë në meshën e Pashkës Ortodokse, në Moskë.