Aktualitet

Dy në pranga në Durrës, fshehën 80 mijë litra naftë!

Finalizohet operacioni policor i koduar “Diesel”, dy shtetas u arrestuan për mbajtjen e rreth 80 mijë litrave naftë të kontrabanduar, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore. Të arrestuar janë kapiteni e mekaniku i një peshkarexhe, të moshave 65 e 53-vjeç. Mjetin lundrues e kishin përshtatur për mbajtjen e sasisë së naftës.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës informon:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në vijim të veprimeve hetimore dhe si rezultat i punës profesionale policore, në kuadër të operacionit “Diesel”, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe vënien në pranga të shtetasve: F. A., 65 vjeç, banues në Durrës, kapiteni i peshkarexhës dhe N. Xh., 53 vjeç, banues në Durrës, mekaniku i peshkarexhës.

Policia bën të ditur se, si rezultat i aksionit është bërë e mundur kapja dhe vënia në pranga e dy shtetasve të shpallur në kërkim; kapiteni dhe mekaniku i peshkarexhës, të cilët kishin përshtatur një depozitë në peshkarexhë, për mbajtjen e rreth 80 000 litrave naftë të kontrabanduar, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore.

Nga veprimet hetimore të kryera, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, Policinë Kufitare, Degën Doganore Durrës, Antikontrabandën Detare dhe FSPD Port Durrës, rezultoi se këta dy shtetas, së bashku me shtetasin në kërkim A. M. (administrator i peshkarexhës), kishin dalë në det, pa njoftuar kapitenerinë dhe Policinë Kufitare, me qëllim marrjen e një sasie prej rreth 80 000 litrash naftë dhe futjen e saj kontrabandë.

Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë gjetën të përshtatur një depozitë në peshkarexhën e këtyre shtetasve, për mbajtjen e naftës së kontrabanduar. Peshkarexha, së bashku me sasinë e naftës, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Vijon puna për kapjen e shtetasit A. M., si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.