Dy persona u arrestuan në aksin Milot-Lezhë, pasi bashkëpunuan për transportimin me dy automjete të 12 emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt 500 eurove/person. U finalizua operacioni policor i koduar “Bllokada”, si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit E.J., 45 vjeç, banues në Kavajë dhe K.U., 32 vjeç, banues në Krujë.
Në aksin rrugor Milot-Lezhë janë lokalizuar dhe ndaluar për kontrolle, automjetet tip “Benz” e tip “Volkswagen” me drejtues shtetasit E.J dhe K.U. Në këto makina ishin në total 12 emigrantë nga vendet e treta, të cilët po transportoheshin nga dy të arrestuarit kundrejt 500 eurove/person, me qëllim kalimin e kufirit, në mënyrë të kundërligjshme.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan automjetet tip “Benz” dhe tip “Volkswagen”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Në një tjetër operacion, dy persona ranë në prangat e policisë së Shkodrës, pasi transportonin emigrantë nga India kundrejt pagesave.
Si rezultat i patrullimeve të vazhdueshme në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive është siguruar informacion se dy persona po bashkëpunonin për të transportuar kundrejt pagesave, disa emigrantë që synonin të kalonin kufirin ilegalisht.
Në bazë të këtyre informacioneve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe dhe specialistët për Hetimin e Trafiqeve të DVP Shkodër kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë arrestuar në flagrancë R.D., 21 vjeç, banues në fshatin Golem dhe A.Gj., 25 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg”.
Në afërsi të rrethrrotullimit të fshatit Dobër, është ndaluar për kontrolle automjeti tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin R.D. dhe ku ishte pasagjer shtetasi A.Gj.
Në këtë automjet ishin tre emigrantë nga India, të cilët po transportoheshin nga dy të arrestuarit kundrejt pagesave, me qëllim kalimin e kufirit, në mënyrë të kundërligjshme me destinacion vendet e BE-së.
Automjeti u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, së bashku me 150 euro të dyshuara të përfituara nga transportimi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.