Bota

Dy sulme në një muaj, britanikët paralajmërohen për kujdes me afrimin e festave! Rritet niveli i kërcënimit terrorist!

Ndërsa Krishtlindjet po afrojnë e festat çojnë në grumbullime, në Londër policia ka një këshillë: vendasit e vizitorët e kryeqytetit britanik të tregojnë kujdes, por të mos alarmohen në hapësirat ku ka pjesëmarrje më të lartë.

Matt Twist, zv.ndihmës komisioner i operacioneve speciale, apelon për vigjilencë e të shihet për çdo gjë të dyshimtë, të pazakontë apo shqetësuese. Një paralajmërim aspak i rastësishëm dhe që pason rritjen e nivelit të kërcënimeve terroriste në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo nënkupton se një sulm është i mundshëm, pas goditjeve të fundit të terroristëve në Liverpul dhe Eseks. Nga zyrtari i lartë policor, festimet e këtij viti, përshkruhen si të parat të mirëfillta, pas kufizimeve të vitit të kaluar nga koronavirusi.

Shumë vende do të jenë të populluara, me shumë grumbullime. Për këtë duhet patur kujdes, por jo alarm!

Gjithashtu, Twist iu referua asaj që ndodhi një ditë më parë në Uiskonsin të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku në një paradë festive, u vranë 5 vetë dhe u plagosën 40 të tjerë, pasi një makinë me shpejtësi, hyri mes turmës. Policia amerikane ndaloi drejtuesin, një 39-vjeçar afro-amerikan, i liruar nga burgu, dy ditë më parë.

Kjo ka lidhje me vigjilencën. Një punë e madhe është bërë për grumbullimet e aktivitetet në Mbretërinë e Bashkuar. Iu kërkojmë agjentëve të sigurisë, të kufizojnë rreziqet për njerëzit. Sa i përket raportimeve nga qytetarët, mund të jetë gjithçka, që nga një çantë e lënë në vendin e harruar e deri te përshkrimi i miqve që bëhen të tërhequr, të izoluar apo bëjnë komente shqetësuese. Nëse raporton, mesazhi është: “Nuk do të shkatërrosh jetën e askujt, por do të shpëtosh një jetë!”.

Për zyrtarin e policisë, është shumë e rëndësishme që njerëzit të shohin për gjëra të pazakonta.

Përse persona që jetojnë në lagjen tuaj, që nuk i keni njohur më parë, po blejnë sasi të mëdha lëndësh kimike? Mos e lodhni mendjen, thjesht raportoni!

Policia britanike është në gatishmëri e në javët në vijim do të ketë prani të shtuar të patrullave të armatosura ose jo.

Specialistë të anti-terrorit po bashkëpunojnë me organizatorë të eventeve e pronarë dyqanesh, për t’i këshilluar lidhur me masat e sigurisë për t’u zbatuar, që vizitorët e klientët të jenë të sigurtë gjatë sezonit të festave të fundvitit. Vitin e kaluar, strukturat e anti-terrorit morën rreth 10 mijë raportime nga qytetarë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, për aktivitete të dyshimta terroriste.