Bota Lifestyle Tech

Dy sy dhe një gojë e buzëqeshur, fotot spektakolare të Diellit kapur nga teleskopi hapësinor i NASA!

Dielli ka ‘buzëqeshur’ përpara teleskopit hapësinor ‘Solar Dynamics Observatory’ dhe kjo tregohet më së miri nga fotoja spektakolare e postuar nga NASA në Twitter. Fotoja tregon tre njolla të shfaqura së fundmi në yllin tonë, të cilat rastësisht kanë marrë pamjen e dy syve dhe një goje të buzëqeshur. Pikat e errëta janë në fakt vrima që formohen periodikisht në pjesën më të jashtme të atmosferës së Diellit, të quajtur korona diellore.

Të ashtuquajturat vrima koronale u zbuluan kur teleskopët me rreze x të misionit Skylab u dërguan përtej atmosferës së Tokës për të vëzhguar Diellin. Këto vrima lidhen me vijat e fushës magnetike diellore. Gjatë periudhës së aktivitetit më të vogël të Diellit, vrimat gjenden kryesisht në rajonet polare, ndërsa kur Dielli është më aktiv, shumë njolla shfaqen të shpërndara në të gjithë sipërfaqen.

Cikli aktual diellor po tregon aktivitet jashtëzakonisht të lartë, aq sa kulmi, i parashikuar fillimisht për vitin 2025, ka të ngjarë të arrijë një vit më parë. Një shembull i këtij aktiviteti janë vrimat koronale të fotografuara tani nga teleskopi hapësinor Sdo, i nisur në vitin 2010 dhe që orbiton rreth 36 mijë kilometra larg Tokës.

Rikujtojmë, se së fundmi teleskopi hapësinor James Webb i NASA-s (JWST) ka shkrepur një imazh të “frikshëm” të atyre që cilësohen si ‘Shtyllat e Krijimit’. Bëhet fjalë për kolona me “pluhur” që arrijnë në thellësi deri në 7000 vjet dritë nga Toka. Imazhi është marrë në dritën e mesme infra të kuqe, duke treguar një pamje të re të një peisazhi të njohur kozmik, që bllokon dritën e ndritshme të yjeve për të kapur vetëm pluhurin që rrjedh dhe ogurzi.