Bota

Dy të vrarë me armë zjarri në një fabrikë të Mercedes-Benzit në Gjermani!

Sot dy persona u vranë me armë zjarri në një fabrikë të Mercedes-Benzit në jugperëndim të Gjermanisë, ndërsa policia ka arrestuar një të dyshuar. Eshtë fjala për një shtetas 53-vjeç, i cili hapi zjarr ndaj viktimave përpara se punonjësit e sigurisë të fabrikës që ndodhet në qytetin Sindelfingen të mund ta ndalonin dhe t’ia dorëzonin policisë.

I dyshuari nuk ka bërë rezistencë ndaj arrestimit, ndërsa dy personat që ndërruan jetë ishin të moshës 44-vjeç. Ata nuk iu mbijetuan plagëve të marra. Hetuesit ende nuk kanë përcaktuar një motiv për sulmin e sotëm e vazhdojnë hetimet për të hedhur më shumë dritë.

Vitet e fundit, Gjermania është trazuar nga ngjarje të këtij lloji, nga njerëz që hapin zjarr dhe shumë prej tyre kanë patur lidhje me ekstremizmin fetar.

Qeveria gjermane është zotuar që të shtrëngojë më tej ligjet në fuqi për armët dhe këtë e premtoi kur një person i armatosur hapi zjarr ndaj disa njerëzve të mbledhur në një sallë të Dëshmitarëve të Jehovait në Hamburg në muajin mars, duke vrarë tetë persona.

Ishte ministrja e Brendshme, Nancy Faeser e cila pas atij sulmi tronditës pati thënë se qeveria do të rishikojë ligjet e saj të armëve. Social-Demokratët, partia e saj dhe e kancelarit Olaf Scholz kanë bërë presion për kufizime më të ashpra për të kufizuar numrin e armëve në dispozicion të qytetarëve në Gjermani.

Mercedes-Benz prodhon makinën e tij luksoze S-Class në uzinën e Sindelfingenit, që ndodhet rreth 17 kilometra në jugperëndim të Shtutgartit. Vendi i prodhimit me një fuqi punëtore prej 35 mijë personash u evakuua pas të shtënave që u shënuan pasi i dyshuari hyri në mjediset e punës në orën 07:45 minuta të mëngjesit. Këto detaje u dhanë nga policia, si dhe nga prokurori i Shtutgartit.