Aktualitet

Dy vatra zjarri ende aktive në veri të vendit!

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 18 vatra zjarri sipas Ministrisë së Mbrojtjes. 16 prej tyre u shuan, dy mbeten aktive. Në një deklaratë për media, drejtori i Gatishmërisë dhe Përgjegjës ndaj Emergjencave pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Robert Hysenllari dha detaje, sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC.

Emergjencat Civile kanë bërë të mundur izolimin e plotë dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në fshatin Shetaj, bashkia Durrës, në fshatin Mimias dhe në lagjen “Kala”, bashkia Berat, në fshatin Paulesh, bashkia Peqin, në njësinë administrative Shushicë, bashkia Elbasan, në fshatin Armen dhe në fshatin Peshkëpi, bashkia Selenicë, në fshatin Ardhasovë,  bashkia Finiq, në fshatrat Bushat, Barbullush dhe Rranza, bashkia Vau – Dejës, në fshatin Shllak 1 dhe në Lagjen Tepe, bashkia Shkodër,në fshatin Seman dhe në fshatin Gorishovë,  bashkia Fier, në fshatin Çiflig, bashkia Korçë.

Për shuarjen e zjarreve gjate 24 orëve janë angazhuar kapacitetet operacionale në nivelin vendor dhe ne nivelin qendror. Janë angazhuar 296 forca operacionale nga Shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, Forcat e Armatosura, forca bashkiake, forca policore, ADZM, shërbimi pyjor, forca vullnetare si dhe 29 mjete zjarrfikëse dhe mjete te tjera operative.

Vijojnë aktive vatrat në fshatin Ndërshen, bashkia Mirditë dhe në fshatin Bogë, bashkia Malësi e Madhe. Strukturat e sistemit të mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë me të gjitha kapacitetet nga toka dhe ajri për mbajtjen nën kontroll të situatës në të gjithë vendin.

Gjithashtu, Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje qytetarëve që të raportojnë menjëherë për vatrat e zjarrit pranë çdo strukture të sistemit të mbrojtjes civile në fshatra, në njësitë administrative ne bashkitë ne prefektura, në strukturat zjarrfikëse dhe Policinë e Shtetit, në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në AKMC.

Çdo njoftim i juaj për vatrat e zjarreve apo fatkeqësi të tjera do të vërë menjëherë në lëvizje sistemin e mbrojtjes civile, duke bërë aktivizimin e forcave operacionale ne nivel vendor dhe qendror, ne mënyrë që ato të izolohen sa më parë, për të mos rrezikuar të çojnë në dëme të pallogaritshme. Gjithashtu, rikujtojmë se zjarret e qëllimshme ose nga pakujdesia dënohen sipas ligjit.