Aktualitet

Dy viktima nga moti i keq, në Shkodër gjenden trupat e pajetë të të zhdukurve!

Konfirmohen se janë dy viktima nga moti i keq në vendin tonë. Pas 16 orësh kërkime në Shkodër, sot në Bogë u gjetën trupat e pajetë të Pjetër Rushajt e djalit të tij, makina e të cilëve u rrëmbye dje nga rrjedha e ujit në vendin e quajtur “Grykë Lugje” në Shkrel të Malësisë së Madhe. Në automjet gjendej edhe vajza e 50-vjeçarit, e cila fatmirësisht arriti të shpëtonte.

Njoftimi zyrtar i Policisë:

Malësi e Madhe, Shkodër/Informacion shtesë

Në vijim të informacion të dhënë mesditën e djeshme se në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në njësinë administrative Shkrel, Malësi e Madhe, rrjedha e ujit të përroit kishte marrë përpara një automjet me të cilin udhëtonin tre persona, banorë të zonës. (babai, djali dhe vajza), ju bëjmë me dije se:

Pas 16 orë kërkimesh intensive, gjatë pasdites së djeshme, gjatë natës dhe gjatë mëngjesit të sotëm, nga polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në gjatësinë e përroit, në Bogë, u bë e mundur gjetja e dy trupave (babë e bir).

Shkodra është edhe qarku më i prekur nga moti i keq i orëve të fundit, me shira intensivë e stuhi. Po ashtu, si masë paraprake, Ministria e Arsimit mori vendimin për pezullimin e mësimit në 16 shkolla të këtij qarku verior.

Sa i përket parashikimit të motit, vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga aktiviteti i masave ajrore të paqëndrueshme e të lagështa. Moti do të jetë me vranësira  mesatare e të dendura, si edhe me reshje shiu të herëpashershme e lokalisht të vazhdueshme me intensitet të ulët e mesatar në formën e shtrëngatave. Në zonat malore në veri e lindje bie dëborë, në lartësinë 1 mijë e 400 metra. Po ashtu, për sot temperaturat variojnë nga 4-17 gradë celcius.