Rajoni

Dy viktima nga zjarret në veri të Athinës!

Zjarre aktive, viktima, evakuime e arrestime. Kjo është situata në Greqi. Në veriun e Athinës, flakët nuk janë shuar ende pasi vazhdimisht krijohen vatra të reja që përhapen me shpejtësi nga era. Madje kërcënuan qytezën Egios Stefanos, 25 km larg Athinës. Aty u bënë evakuime, shumë njerëz u larguan në panik, por ka edhe nga ata që refuzojnë të largohen.

Kundër zjarreve masive, qindra zjarrfikës luftojnë me ndihmë nga Franca, Suedia, Rumania, Qiproja e Zvicra. Një 38 vjeçar në veri të Athinës ndërroi jetë, pasi u godit nga një shtyllë elektrike. Në afërsi të Kryonierit gjeti vdekjen edhe presidenti i Dhomës së Industrisë e Tregtisë në Athinë, Konstantions Michalos, i cili u gjet pa jetë në fabrikën e tij, shumë pranë zjarreve. Edhe dy zjarrfikës u dërguan në spital në gjendje kritike e mjaft të tjerë shkuan me djegie apo helmim nga tymi.

Qeveria greke ofron fjetjen falas në hotele, por shumë vetë duan të rikthehen në shtëpitë e tyre në rastet kur nuk janë djegur apo kur duket se rreziku i zjarreve është larguar.

Me temperatura nga 40 në 45 gradë celcius, Greqia po përjeton një nxehtësi të pazakontë. Mbrojtja Civile i lajmëron qytetarët me SMS në të gjithë vendin për rrezikun ekstrem të zjarreve në ditët e ardhshme.

“Nëse disa vetë ende pyesin, nëse ndryshimi i klimës është realitet, ata duhet të vijnë këtu”, – u shpreh kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis gjatë një vizite në zonat e përfshira nga zjarret.