Aktualitet

Dy vjet nga shembja e Teatrit, reagojnë Meta dhe Basha!

Sot në dy vjetorin e shembjes së Teatrit Kombëtar, presidenti Ilir Meta thotë se “artistët jonkonformistë, gazetarët e pavarur, intelektualët dhe qytetarët e shumtë, u tradhëtuan pabesisht nga lidershipi opozitar”. Ndër të tjera Meta e cilëson shembjen e Teatrit Kombëtar si “akt kriminal që ende sot mbetet pa përgjegjës për shkelje ligjore dhe kushtetuese”. Sipas kreut të shtetit, “për dy vite, drejtësia jo vetëm nuk ka shpallur një fajtor, por as ka dhënë një përgjigje mbi arsyet e emergjencës të shembjes barbare të Teatrit Kombëtar”.

Postimi i kreut të shtetit:

Si sot, dy vite më parë, nëpërmjet një akti kriminal në mes të errësirës dhe në kulmin e pandemisë, u shemb barbarisht në zemër të kryeqytetit, godina historike e Teatrit Kombëtar.

Mirënjohje për të gjithë artistët jonkonformistë, gazetarët e pavarur, intelektualët dhe qytetarët e shumtë, të cilët edhe pse të tradhëtuar pabesisht nga lidershipi opozitar, u shndërruan në simbole frymëzuese të rezistencës ndaj arbitraritetit, korrupsionit dhe dhunës shtetërore, duke zgjuar ndërgjegjen shoqërore për rrezikun që kërcënon trashëgiminë kulturore kombëtare.

Akti kriminal që ende sot mbetet pa përgjegjës për shkeljet ligjore dhe kushtetuese, për shkeljen e Konventave Ndërkombëtare ku vendi aderon, si dhe për falsifikimet e zyrtarëve në të gjitha nivelet, tregon se sa e pavarur është drejtësia shqiptare që për dy vite jo vetëm nuk ka shpallur një fajtor, por as ka dhënë një përgjigje mbi arsyet e emergjencës të shembjes barbare të Teatrit Kombëtar.

Një postim i ka dedikuar ngjarjes së para dy viteve edhe ish-kryetari demokrat Lulzim Basha:

Prej dy vitesh teatri është një plagë e hapur në zemër të Tiranës. Një plagë që sëmbon prej mosarsyeve që e shkaktuan atë dhe që janë të njëjtat me ato që e kanë mbajtur peng vendin këto 9 vite: arroganca, korrupsioni, klientelizmi, paratë e krimit dhe armiqësia e verbër ndaj trashëgimisë kulturore.

Sot ai shesh, i zhveshur dhunshëm nga historia e tij, është një tjetër vijë ndarëse midis qytetarëve që duan një Shqipëri demokratike dhe një pakice që shkatërron, plaçkit, uzurpon një nga institucionet më të shenjta të kombit.

Mirënjohje të thellë për artistët, qytetarët dhe qëndrestarët që nuk u pajtuan kurrë me marrëzinë e një regjimi që dialogun e kryen me fadroma dhe dhunë shtetërore. Gjykata Kushtetuese provoi se beteja në mbrojtje të Teatrit Kombëtar ishte e drejtë dhe tani është koha që drejtësia të shkojë deri në fund, duke nxjerrë përpara përgjegjësive ata që barbarisht sulmuan kulturën, qytetarinë dhe trashëgiminë tonë të përbashkët. #atykuishteatysiçishte.