Sociale

Dyfishohen infektimet me Covid-19, ekspertët: Në vjeshtë mutacione të reja

Dyfishohen infektimet nga koronavirusi. Java e tretë e qershorit ka shënuar një rritje të rasteve pozitive me Covid-19.

Mbi 130 të infektuar janë konfirmuar 24 orët e fundit, ndërkohë që në fillim të muajit kjo shifër varionte nga 50 deri 65 raste në ditë. Për ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik është një situatë e pritshme për shkak të grumbullimeve, aktiviteteve të ndryshme dhe sezonit turistik.

Nënvarinati Ba2 i Omicron është dominant në këtë periudhë të verës. Sipas epidemiologut Artan Simaku, pjesa më e madhe e të prekurve po e kalojnë si grip dhe pozitiv është fakti që prej javësh nuk ka humbje jete.

Edhe numri i të shtruarve në spital ka pësuar një rritje të lehtë.

Aktualisht, po marrin shërbim 8 pacientë, por koha e qëndrimit është shumë më e shkurtër se variantet e para të Covid-19. Ndërkohë, ekspertët e ISHP vijojnë thirrjet për të vijuar vaksinimin pasi vjeshta mund të ketë në qarkullim mutacione të reja të Covid-19.

Raporti i Ministrisë së Shëndetësisë:

Ministria e Shëndetësisë i bën apel qytetarëve të vaksinohen sa më parë, për të mbrojtur veten dhe shëndetin e të tjerëve. Vaksinat antiCOVID reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.

Çdo qytetar mbi 12 vjeç, mund të vaksinohet në qendrat shëndetësore.

MSHMS apelon të gjithë qytetarët e vaksinuar me dy doza, të drejtohen në qendrat shëndetësore ose pikat e vaksinimit të përqëndruar, për t’u vaksinuar me dozën e tretë përforcuese.

Qytetarët mbi 60 vjeç dhe ata me imunitet të dobët, që kanë kaluar 4-6 muaj nga kryerja e dozës së tretë, mund të marrin dozën e katërt të vaksinës anti-Covid, sipas rekomandimit të mjekut të familjes.

Nëse dyshoni se jeni të prekur nga COVID19 apo keni shenja të sëmundjes, izolohuni menjëherë dhe kontaktoni me mjekun tuaj të familjes për t’u testuar sa më parë ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin unik 127.

Ju informojmë për situatën në 24 orët e fundit, si vijon: Janë kryer 595 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me COVID19, 139 qytetarë, në këto bashki:

97 në Tiranë, 12 në Fier, 10 në Lushnje, nga 5 qytetarë në Divjakë, Vlorë, 4 në Sarandë, nga 1 qytetar në Shkodër, Lezhë, Krujë, Kavajë, Himarë, Delvinë.

Janë 791 qytetarë aktivë me Covid19 në gjithë vendin.

Aktualisht në spitalin COVID3 po marrin trajtim 8 pacientë. Në 24 orët e fundit nuk ka asnjë humbje jete me Sars-Cov2.

Janë shëruar 26 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 273,095 që nga fillimi i epidemisë.