Rajoni

Dyshime për varrezë masive, gërmime në Serbi!

Në fshatin Shtaval në komunën serbe të Sijenicës, po kryhen gërmime pas dyshimeve mbi një varrezë masive me trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Lajmin e konfirmoi edhe Prishtina zyrtare:

Gërmimet filluan pasi në fund të javës së kaluar, përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq u siguruan imazhet satelitore, të cilat ditët në vijim do të analizohen nga ekspertët, për të saktësuar vendndodhjen e varrezës masive. Ekspertët mjeko-ligjorë të Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të qëndrojnë atje, për të ndjekur gërmimet.

Urdhrin për nisjen e tyre e dha Prokuroria e Krimeve të Luftës në Serbi.

Kërkimi në terren është i nevojshëm për të përcaktuar me saktësi fatin e personave të zhdukur, çka u dërgon mesazh të qartë familjeve të tyre se autoritetet serbe po verifikojnë informacionet.

Ishte Komisioni Qeveritar i Kosovës për Personat e Zhdukur që fillimisht ofroi informacione mbi dyshimet për varrezën masive. Autoritet serbe thanë se kërkimi në terren do të zgjasë deri në përcaktimin dhe sqarimin e fakteve të nevojshme për të përcaktuar vendndodhjen e saktë.

Më 27 prill, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Andin Hoti, drejtues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, akuzoi palën serbe se nuk ofron të dhëna për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. Sipas tij, “Beogradi ende vazhdon “lojën”, duke mos dhënë informacione”.

Vazhdimisht, zyrtarët kosovarë kanë ngritur dyshime për ekzistencën e një varreze masive në fshatin Shtaval të Serbisë. Këto dyshime u përforcuan edhe më shumë kur në Kizhevak, në komunën e Rashkës pranë kufirit me Kosovën, më 16 nëntor 2020 u gjetën eshtrat e një numri të civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës, së viteve ‘98-99. Referuar të dhënave të organizatave joqeveritare, në varrezat masive në Serbi janë gjetur trupat e rreth 1 mijë kosovarëve të vrarë. Afro 1 mijë e 600 persona të tjerë ende rezultojnë të zhdukur në Kosovë, kryesisht nga komuniteti shqiptar.