Aktualitet

Dyshimet se shpërndanin lëndë narkotike pranë shkollave të Burrelit çojnë në dy të arrestuar!

Dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në afërsi të shkollave, dy të arrestuar në Mat, njëri prej tyre pronar i një lokali, të cilin e kishte përshtatur për përdorimin e lëndëve narkotike. Me të u prangos një klient i këtij lokali i moshës 30-vjeç.

Njoftimi plotë:

Mat/Kontrolle të shtuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Kishte përshtatur ambientet e lokalit të tij, për përdorimin e lëndëve narkotike, vihet në pranga 40-vjeçari. Gjatë kontrollit në këtë lokal u gjetën kokainë, kanabis dhe pajisje që shërbejnë për konsumimin e lëndëve narkotike.

Vihet në pranga edhe një shtetas tjetër (klient në lokal), pasi iu gjetën një sasi kanabisi dhe një dorezë metalike.

Nga veprimet hetimore dyshohet se dy të arrestuarit shpërndanin lëndë narkotike në lokal dhe në afërsi të shkollave.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në vijim të kontrolleve për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, pas informacioneve të siguruara përmes inteligjencës informative, për një shtetas që kishte përshtatur lokalin e tij, për përdorimin e lëndëve narkotike, kanë organizuar punën për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit A. K., në qytetin e Burrelit, shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa, si dhe pajisje të ndryshme që shërbejnë për konsumimin e lëndëve narkotike, të cilat u sekuestruan ne cilësinë e provës materiale.

Në ambientet e lokalit u konstatua edhe shtetasi E. K., të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjetën një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një përforcues grushti (dorezë metalike), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

A. K., 40 vjeç, për veprat penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

E. K., 30 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi A. K., në bashkëpunim me shtetasin E. K., shpërndante lëndë narkotike, në lokalin e tij dhe në afërsi të shkollave. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.