Aktualitet

E fundit/SPAK rekurs në Gjykatën e Lartë për Saimir Tahirin: Të dënohet edhe për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal

Prokuroria e Posaçme ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për dënimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, pasi nuk është dakord me dënimin e dhënë ndaj tij.

Me këtë rekurs, SPAK kërkon që Saimir Tahiri të dënohet me 12 vite burg për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij, për grup kriminal dhe trafik të lëndëve narkotike.

Kujtojmë se ish-ministri i Brendshëm është dënuar vetëm me 3 vite e 4 muaj burg për shpërdorim detyre, ndërkohë SPAK kërkon që ai të dënohet edhe për akuzën e grupit kriminal e trafikut të drogës.

“Argumentet dhe provat e pranuara nga gjykata, cilësimi si shpërdorim detyre është i gabuar. Por duhet cilësuat vepra e kryer si trafikim në kuadër të grupit të strukturuar”, thotë SPAK

Pas një seance maratonë GJKKO e dënoi Saimir Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”. Në argumentimet e vendimit, Apeli i GJKKO nënvizon se rezulton se Tahiri ka lidhje me Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj dhe këto lidhje kanë ndikuar që grupi kriminal të infiltrohet në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit dhe të pengojë luftën ndaj trafikut të drogës.

Sipas Gjykatës, Tahiri provohet se ka përfituar nga Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj për përfitime të padrejta dhe njëkohësisht shpërdorimi i detyrës duke dëmtuar interesat e shtetit. Saimir Tahiri po vuan dënimin në burgun e Fierit.

Kujtojmë se Saimir Tahiri e nisi ‘betejën’ e tij me drejtësinë në vitin 2017, kur kishte 4 vite ministër i Brendshëm, si ministri më jetëgjatë në atë dikaster. Organet e drejtësisë e vunë në shënjestër pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit.