Auto & Moto Bota Botë e Çuditshme

E gjithë bota ‘në lëvizje’ për të kursyer energji, ja çfarë pritet të ndodhë në autostrada!

Për të frenuar konsumin e energjisë në Zvicër, kreu i ‘Partisë së Gjelbër’, Balthasar Glattli, ka bërë thirrje për një kufizim të shpejtësisë në autostrada në 80 kilometra në orë (km/h). Për portalin e lajmeve ‘nau.ch’, Glattli tha se reduktimet e shpejtësisë janë thelbësore për të kursyer energji dhe se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë po ashtu e thotë këtë. Aktualisht në autostradat zvicerane zbatohet një kufizim i shpejtësisë prej 120 km/h.

Propozimi i kreut të ‘Partisë së Gjelbër’ deri më tani nuk ka marrë mbështetje nga qeveria federale zvicerane dhe klubet e automobilave. Ligjvënësi Thomas Hurter nga ‘Partia Popullore Zvicerane’ e krahut të djathtë tha se edhe një reduktim në 100 km/h për të kursyer energji është i pakuptimtë. Hurter tha se reduktimet e shpejtësisë kanë kuptim pjesërisht kur bëhet fjalë për parandalimin e bllokimeve të trafikut.

Ai kritikoi ashpër propozimin e ‘Partisë së Gjelbër’, duke pretenduar se është një “politikë ideologjike klasike e krahut të majtë”. Qeveria federale zvicerane deri më tani ka hedhur poshtë çdo thirrje për kufizime më të ulëta të shpejtësisë. Në një njoftim, ministrja e Transportit, Simonetta Sommaruga, tha se shpejtësitë më të ulëta do të reduktojnë vërtet konsumin, por theksoi se kufiri aktual i shpejtësisë në 120 km/h nuk është një shpejtësi minimale.

Drejtimi me shpejtësi më të ulët lejohet për sa kohë që nuk pengohet rrjedha e qëndrueshme e trafikut.