Bota Celebrities

E mohoi deri në fund, por COVID i mori jetën kampionit të kickboxing, Fred Sinistra!

Ish-kampioni i Botës dhe Europës në kickboxing, Frederic Fred Sinistra ndërroi jetë në shtëpinë e tij për shkak të problemeve të rënda me frymëmarrjen, si rezultat i koronavirusit. I njohur si The Undertaker, 41-vjeçari nga Belgjika, mbeti deri në fund një mohues i vendosur i koronavirusit.

Në fund të nëntorit, trajneri i tij, Osman Yigin e detyroi të shtrohej në spital. Por, pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore, në javën e parë të dhjetorit firmosi për daljen nga spitali e kthimin në shtëpi.

Ndërkaq, në një postim të gjatë lamtumire, bashkëshortja e tij, gjithashtu mohuese e COVID-it, pretendon se Fred nuk vdiq nga koronavirusi dhe se ai nuk do të pranonte të shfrytëzohej që të mbështetet vaksinimi anti-COVID.

Në një postim të mëparshëm në Instagram ku shfaqej i shtrirë në spital, teksa mbante një respirator, Sinistra njoftonte problemet me mushkëritë, por shprehej i bindur se do të rikthehej më i fortë në ring, ndonëse anuloi një ndeshje në Francë, e planifikuar për më 4 dhjetor.

Me t’u kthyer në shtëpi, kishte një mesazh për ndjekësit:

Tani po e marr veten gradualisht dhe jam më i fortë se kurrë. Vdekja nuk më afroi e toka do të dridhet nën këmbët e mia në ndeshjen e 28 janarit në Turqi.