Rajoni

E moshuara lë azilin ku u dhunua/Arrestohet bashkëshorti i njërës prej infermiereve përgjegjëse!

Pas publikimit të videos tronditëse, që daton nëntorin e kaluar, e moshuara që u dhunua nga infermieret në azilin “Orenda” në Pejë është marrë nga familjarët, të cilët paguanin 600 euro në muaj që të kujdeseshin për të, por në këmbim morën keqtrajtimin. Për mediat, dhëndri i gruas e cila humbi djalin 17-vjeç, i rënë dëshmor në luftën e Kosovës, deklaroi se ajo vuan nga Alzheimeri e nuk ka treguar ndonjëherë se është keqtrajtuar.

Vuan nga Alzheimeri dhe nuk ka mundur ta japë ndonjë shpjegim ndaj vajzës së saj.

Anton Rasaj, pronari i azilit “Orenda” kërkoi falje:

Kërkojmë ndjesë për pamjet e rënda që na kanë goditur secilin! Unë Anton Rasaj sot si aksionari më i madh në shoqërinë Orenda në Pejë kam rastisur të jem këtu me familje. Me urgjencë kam marr veprimet personalisht. Nuk kam fjale ta përshkruaj si jam ndjere kur e kam parë sjelljen e infermiereve.

Ju njoftoj se pa asnjë hamendje, menjëherë i kam larguar nga puna personelin në fjalë, kam kërkuar që me shpejtësi të veprohet, e për dëmin e shkaktuar nga ato do t’i ndjekim përgjegjësit në procedurat tjera ligjore po ashtu.

Ndërkohë, policia e Kosovës arrestoi bashkëshortin e njërës nga infermieret që shihen në video.  Ai u prangos si i dyshuar në kërcënimin e pronarit Anton Rasaj. Tre infermiere u arrestuan dhe katër u pezulluan.

Edhe në dëshminë e dhënë në polici, protagonistja kryesore, Aurona Pelaj, e cila dhunoi fizikisht të moshuarën, nuk shfaqi shenja pendese.

Unë kur kam filluar punën ajo veç ka qenë banore e shtëpisë dhe se nga mjeku është konstatuar se e njëjta ka çrregullime mendore. Në ditën kur ka ndodhur rasti ajo ka qenë shumë agresive dhe kohë pas kohe përjetonte kriza nervoze dhe për këtë e kemi njoftuar doktorin. Atë ditë, e kemi pasur për detyrë që t’ua ndërrojmë pampersat pasi e moshuara (viktima) e kishte kryer nevojën fiziologjike dhe me duart e saj e ka ndotur hapësirën. Unë e kam dëgjuar një zhurme te banjoja dhe kam shkuar që të shikoj. Aty koleget e mija kishin pasur telashe dhe desha të ju ndihmoj. Ajo (viktima e moshuar) më ka sulmuar dhe më ka shkaktuar lëndime në dorë, më ka sulmuar me shqelm e para. Unë nuk kam përdor dhunë e as forcë të madhe përveç me ndalu sulmin e saj ndaj meje. Ajo atë ditë e ka sulmuar edhe një banore tjetër. Në shkollë jemi mësuar se personat që paraqesin rrezik për personelin dhe kanë probleme psikike duhet të tregohemi dominant ndaj tyre. Unë jam e vetëdijshme se veprimi ka qenë i tepruar dhe nën afekt, por ajo e para më ka sulmuar dhe veprimet e mija kanë qenë paralajmëruese dhe jo me forcë të madhe. Koleget e mia janë munduar ta vënë nën kontroll atë (të moshuarën). Janë munduar me forcë ta ndërrojnë, ka qenë e fuqishme dhe është dashtë disa veta ta vënë nën kontroll.

Ndërkaq, Naim Pelaj, babai i infermieres Aurona Pelaj, kërkoi falje dhe iu bëri thirrje organeve të drejtësisë, të merren me rastin.

E dashura familje e nënës së dëshmorit të lirisë, Taulant Nura, që falë gjakut të tij ne sot e gëzojmë lirinë, duam të ndajmë dhimbjen me ju dhe ndjejmë me ju nga thellësia e shpirtit tonë për lëndimin qe ju ka shkaktuar vajza jonë. E di që po kaloni momente të rënda, por na lejoni që t’ju kërkojmë falje publike në emër të familjes sime Pelaj, nga Novosella e Pejës, juve familja Nura dhe mbarë popullit shqiptar. Dashtë Zoti që ky rast të mos përsëritet më dhe ju jemi borxhli moralisht dhe shpirtërisht gjithë jetën juve, familjes Nura nga Gjakova, për tragjedinë shpirtërore që ju shkaktoi vajza jonë. Gjithashtu, në rastin e vajzës sonë, kërkojmë nga organet e rendit që të veprojnë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës për veprat, për të cilat e ngarkojnë.

Prokuroria ka informata edhe për të tjera raste të dhunës në azilin “Orenda”. Prokurori Dorian Juniku konfirmon se hetimet janë në fazën fillestare e se vazhdon puna deri në sqarimin e plotë të rastit. Juniku konfirmoi se kanë dyshime që këto raste mund të kenë ndodhur edhe më herët.