Bota

E pesta herë në dy vjet, Bullgaria shkon sërish në zgjedhje të reja!

Për të pestën herë brenda dy vitesh, bullgarët i drejtohen sërish qendrave te votimit për të zgjedhur një qeveri të re.

Përpjekjet për krijimin e një koalicioni qeveritar dështuan, duke e çuar vendin sërish në zgjedhje.

Në fillim të javës, presidenti bullgar, Rumen Radev kishte ngarkuar me detyrën e krijimit të qeverisë së re, Partinë Socialiste. Sipas kushtetutës së vendit, mandati për krijimin e qeverisë së re mund të jepet vetëm tre herë. Por kryetarja e kësaj partie, Kornelia Ninova e pranoi se nuk mundi të gjente në parlament shumicën e nevojshme.

“Kemi kërkuar për një zgjidhje, për të nxjerrë vendin nga shumë kriza dhe stanjacioni politik. Kjo do t’i bëhet e ditur zyrarisht presidentit bullgar në një takim të martën”, tha Kornelia Ninova.

Në këtë mënyrë, dështoi edhe mundësia e fundit për krijimin e qeverisë pas zgjedhjeve të tetorit 2022.

Presidenti Radev tani duhet të vendosë, se kur duhet ta shpërndajë parlamentin, dhe të vendosë një datë për zgjedhje të reja, që duhet të zhvillohen brenda dy muajsh pas shpërndarjes së Kuvendin. Zgjedhjet në tetor 2022 nuk krijuan dot shumica të qarta politike në vend.

Aktualisht Bullgaria qeveriset nga një kabinet teknokratësh. Para socialistëve ishte partia fituese e zgjedhjeve, GERB një parti e qendrës së djathtë, e cila nuk arriti dot krijimin e qeverisë. Në parlamentin bullgar janë të përfaqësuara shtatë parti, me dallime e grindje të mëdha politike.