Aktualitet

E punësuar për mirëmbajtjen e banesës në Tiranë, përfundon duke e vjedhur/Pranga pastrueses!

Grabiti para’ në shtëpinë ku ishte punësuar për ta mirëmbajtur në rrugën “Vaso Pasha” në Tiranë, pranga një shtetaseje. Në kuadër të operacionit të koduar “Gracka”, blutë arrestuan Elida Kodrën, banuese në kryeqytet. Në banesën në pronësi të një shtetasi, javën e fundit kishte grabitur 2 mijë euro, 300 dollarë e 35 mijë lekë.  Gjatë kontrollit të çantës së saj, në cilësinë e provës materiale, shërbimet e Policisë gjetën e sekuestruan 840 euro, 600 dollarë e rreth 41 mijë lekë.

Njoftimi zyrtar:

Vodhi shuma parash në një banesë, vihet në pranga ish-punonjësja e mirëmbajtjes së kësaj banese.

Sekuestrohen 840 euro, 600 dollarë dhe 40 900 lekë të rinj.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në provat e siguruara gjatë një pune të mirëfilltë hetimore për vjedhjen e disa shumave parash, në një banesë në rrugën “Vaso Pasha”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gracka”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i shtetases E. K., banuese në Tiranë.

Nga provat e siguruara gjatë hetimit ka rezultuar se shtetasja E. K., e cila ka qenë e punësuar për mirëmbajtjen e banesës së shtetasit Z. E., në rrugën “Vaso Pasha”, gjatë javës së fundit ka vjedhur në këtë banesë, 2000 euro, 300 dollarë dhe 35 000 lekë të rinj.

Gjatë kontrollit të çantës së shtetases E. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 840 euro, 600 dollarë dhe 40 900 lekë të rinj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Rasti më i fundit shënohet kur ende nuk është shuar jehona për veprimet e pastrueses Rozeta Dobi, e cila me të birin Havier Dobi grabitën mijëra euro në banesën e zyrtares Alda Klosi në Tiranë, kjo e fundit e ndaluar mbrëmë për disa vepra penale. Prokuroria Tiranë vijon hetimet.