Rajoni

E rëndë/4 viktima nga një aksident në Kosovë; humb jetën edhe 12 vjeçarja

4 persona kanë humbur jetën dhe një tjetër është lënduar si pasojë e një aksidenti në fshatin Koshare në aksin Ferizaj–Shtime. Policia e Kosovës bëri të ditur se në aksident u përfshinë dy automjete ku udhëtonin anëtarë të dy familjeve. Ende po hetohen motivet e përplasjes së dy makinave.

Për aksidentin është arrestuar një person i akuzar për vepren penale “Rrezikim i trafikut publik”. “Lidhur me rastin në fjalë, në vendin e ngjarjes shkuan të gjitha Njësitet e Policisë, ekipet e mjekësisë ligjore, eksperti i komunikacionit dhe Prokurori i Shtetit, ku, me urdhër të tij, është ndaluar një person i dyshuar në kohëzgjatje prej 48-orësh.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Në mesin e viktimave është edhe një 12 vjeçare, ndërsa shkaqet e aksidentit nuk janë bërë akoma të ditura.

Lajmin e ka konfirmuar edhe drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, Nadire Ymeri.

4 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e aksidentit në fshatin Koshare. Viktimat janë sjellë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ne Prizren. Edhe policia është në Emergjencë dhe po merr informacione. Në mesin e viktimave është edhe një vajzë 12 vjeçare. Ndërsa, një vajzë e intubuar është nisur për trajtim në Prishtinë, ka deklaruar ajo.

Pas aksidentit me katër viktima ka reaguar edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

U trondita kur mësova lajmin se në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime, saktësisht në fshatin Koshare, sot, ndodhi një aksident me përmasa tragjike, e ku humbën jetën 4 qytetarë dhe një u lëndua rëndë. Të pikëlluar jemi sot të gjithë, nga ky aksident tragjik. Jemi me familjarët e viktimave në këto orë të rënda për to. Presim që sa më parë të zbardhen shkaqet që çuan në aksident dhe apelojmë për shtim të kujdesit në trafik. Njëkohësisht i urojmë shërim të shpejtë të lënduarit nga ky aksident. Ngushëllime të sinqerta familjarëve, miqve e të njohurve të viktimave që humbën jetën sot tragjikisht në këtë aksident rrugor, përfundon telegrami i ngushëllimit.

Ndërkaq, edhe në Tiranë u shënua një aksident rrugor pak momente më parë, fatmirësisht pa viktima. Si pasojë e humbjes së kontrollit të mjetit, një 27-vjeçar ka dalë nga rruga në zonën e Tufinës. Për rrjedhojë është plagosur vet drejtuesi dhe pasagjerja 25 vjeçare që ndodhej me të. Të dy janë dërguar menjëherë në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekësve.