Bota

E trishtë, 5 vjeçari që ra në pusin 32 metra të thellë u nxor i pajetë

Fëmija 5 vjeç nga Maroku, që ra në pus katër ditë më parë, ka vdekur. Lajmi i trishtë u konfirmua në një deklaratë për mediat nga autoritetet e vendit mbretëror pak pasi trupi i tij u nxorr nga thellësia, raporton BBC. Përpjekjet për nxjerrjen e tij mbërthyen të gjithë vendin, ku qindra persona u mblodhën në vendin e ngjarjes.

Djali i quajtur Rayan ra në një gropë 32 metra thellësi ndërsa përpjekjet për shpëtimin e tij ishin të ngadalta për shkak të frikës nga rrëshqitja e dheut.

Ekipi i shpëtimit e gjeti Rayan Awram të vdekur pas katër ditësh përpjekje për ta nxjerr. Fëmija ra në pus ndërsa po luante pranë shtëpisë së tij.

Pas nxjerrjes së trupit, doktorët konfirmuan se ai kishte vdekur para se ekipi shpëtues të arrinte tek ai. Gjerësia e pusit prej vetëm 45 centimetra nuk lejonte që shpëtuesit të arrinin tek Rayan përmes gropës.

Ekipi gërmoi dheun krah pusit në mënyrë që të hapte një vrimë horizontale për të arritur trupin e vogëlushit. Ata instaluan dhe tuba në mënyrë që të pengonin rrëshqitjen e dheut.

Ekspertët përdorën një litar për të dërguar oksigjen dhe ujë në fund të pusit ndërsa një kamera e monitoronte djalin.

Pamjet e publikuara të premten tregonin, vogëlushin të shtrirë në fund të gropës së thellë. Ngjarja tërhoqi vëmendjen e gjithë botës, pasi hashtagu #SaveRayan u përdor masivisht në rrjetet sociale.

Operacioni kompleks, ngjalli simpati edhe tek vendi fqinj, Algjeria, që është rivale me Marokun.